Procesi i rinovimit të Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë po zhvillohet mes vonesash të pajustifikuara dhe mungesë transparence, duke krijuar paqartësi serioze mbi respektimin e ligjit dhe balancën institucionale.
Në fund të vitit 2025 përfunduan mandatet e gjashtë anëtarëve të Këshillit: Luljeta Minxhozi (zëvendësguvernatore e parë), Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka. Ligji parashikon që tre anëtarë propozohen nga Kuvendi dhe tre nga Këshilli i Ministrave, pikërisht për të shmangur kapjen politike të institucionit dhe për të garantuar pavarësinë e bankës qendrore.
Megjithatë, edhe pse mandatet kanë përfunduar që në dhjetor, procesi është zvarritur si nga Kuvendi i Shqipërisë ashtu edhe nga Këshilli i Ministrave, duke e lënë Këshillin Mbikëqyrës në një situatë funksionale të brishtë dhe me kapacitete të kufizuara vendimmarrjeje.
Kuvendi ka hapur procedurat vetëm për tre vakanca, për zëvendësimin e Luljeta Minxhozit, Artan Hoxhës dhe Violeta Stakës. Në garë kanë aplikuar 20 kandidatë, nga të cilët 18 janë paraqitur në seanca dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Procesi parlamentar është zhvilluar me dëgjesa publike dhe dokumentacion të aksesueshëm, ndërsa kandidatët duhet të marrin mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të kaluar në votim në seancë plenare.
Ndryshe paraqitet situata në krahun e qeverisë. Këshilli i Ministrave duhet të propozojë tre emra për të zëvendësuar Ridvan Boden, Suela Popën dhe Edlira Luçin. Por në depozitimin e fundit, qeveria ka paraqitur vetëm dy kandidatura – Jonida Priftin dhe Ervin Meten – duke mos dhënë asnjë shpjegim publik për mungesën e emrit të tretë, ndonëse procedura ligjore e kërkon qartësisht plotësimin e tre vendeve.
Kjo ka shtuar dyshimet për pazare politike në prapaskenë, veçanërisht pas raportimeve se mund të ketë një marrëveshje të heshtur për të lënë në detyrë Ridvan Boden, pavarësisht përfundimit të mandatit të tij. Mosdeklarimi zyrtar i vakancës dhe mosshpallja e procedurës përkatëse ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit.
Ish-ministri dhe ish-anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj, i cili ishte pjesë e garës, e ka cilësuar situatën si shkelje të drejtpërdrejtë ligjore dhe institucionale. Sipas tij, Banka e Shqipërisë është institucion i Republikës dhe jo pronë politike e asnjë kryeministri, ndërsa qeveria ka detyrim të bëjë publike listën e kandidatëve dhe kriteret e përzgjedhjes. Heshtja dhe mungesa e transparencës, sipas Malajt, përbëjnë devijim nga standardet kushtetuese dhe regres institucional.
Pak ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim në Kuvend me deputeten Milva Ekonomi, ku theksoi rëndësinë e një procesi transparent dhe të bazuar në meritë për pozicionet vakante në Këshillin Mbikëqyrës, si element kyç për ruajtjen e pavarësisë së bankës qendrore dhe besimit publik.
Pavarësisht këtij mesazhi të qartë nga partnerët ndërkombëtarë, procesi mbetet i cunguar dhe i paqartë në segmentin që i takon qeverisë. Në një moment kur stabiliteti financiar dhe besueshmëria institucionale janë thelbësore, çdo hije dyshimi mbi përzgjedhjen e drejtuesve të Bankës së Shqipërisë rrezikon të cenojë jo vetëm reputacionin e institucionit, por edhe besimin e qytetarëve dhe tregjeve.






