Qeveria shqiptare ka shpallur situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve, në përgjigje të rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Vendimi, i firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare, aktivizon menjëherë Bordin e Transparencës, një mekanizëm ndërhyrës që synon të vendosë kufij mbi çmimet e tregtimit të naftës dhe gazit në vend.
Sipas përcaktimeve zyrtare, gjatë kësaj periudhe bordi do të caktojë çmimet tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës. Këto çmime do të jenë detyruese për të gjitha kompanitë që operojnë në këtë sektor, duke synuar frenimin e abuzimeve dhe stabilizimin e tregut.
Aktualisht, në shumicën e pikave të karburanteve në Tiranë, një litër naftë tregtohet rreth 214 lekë, ndërsa në ditët e mëparshme çmimi kishte arritur deri në 219 lekë për litër.
Vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu që subjektet e tregtimit të hidrokarbureve të paraqesin deri më 24 mars përfaqësuesit e tyre për përbërjen e Bordit, pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me tensionet gjeopolitike, pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në tregjet globale ishte bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, një nyje strategjike për furnizimin botëror me naftë.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës bruto të tipit Brent crude arriti deri në rreth 120 dollarë për fuçi, përpara se të shënonte një rënie drejt nivelit të 90 dollarëve, pas një ndalese të përkohshme të konfliktit të shpallur nga Donald Trump.
Megjithatë, reflektimi i kësaj rënieje në tregun vendas mbetet i kufizuar, pasi çmimi i naftës vijon të mbetet i lartë.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar edhe një masë lehtësuese për qytetarët, duke bërë të ditur se nëse çmimi i naftës kalon pragun e 220 lekëve për litër, qeveria do të ndërhyjë me uljen e akcizës në masën 20%.






