Deputeti i Partia Socialiste e Shqipërisë, Erion Braçe, ka reaguar me tone të forta ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të naftës, duke akuzuar operatorët e tregut të hidrokarbureve për abuzim dhe koordinim të qëllimshëm.

Sipas Braçes, përfaqësues të tregut të karburanteve – që ai i cilëson si një “kartel që vepron si shoqatë” – kanë paralajmëruar rritje të menjëhershme të çmimit me 20 lekë brenda 48 orëve dhe deri në 40 lekë për litër në vijim, duke e justifikuar këtë me zhvillimet në bursat ndërkombëtare dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.

Deputeti socialist thekson se ky arsyetim nuk qëndron, pasi çmimi aktual në pompë është 173 lekë për litër dhe, sipas tij, ka mbetur i pandryshuar për rreth një vit, pavarësisht luhatjeve të çmimeve në tregjet globale dhe zhvlerësimit të monedhave të huaja.

“Kur abuzimi ulëret, kundërmasa duhet të jetë e shpejtë dhe efektive”, është shprehur Braçe, duke paralajmëruar se në të kundërt koston do ta mbajnë qytetarët dhe buxheti i shtetit, ndërsa operatorët do të përfitojnë.

Ai rikujtoi edhe rolin e Bordi i Hidrokarbureve, i ngritur gjatë krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke theksuar se ky mekanizëm nuk është shpallur antikushtetues dhe, nëse funksionon me profesionalizëm dhe në mbrojtje të interesit publik, mund të shërbejë si instrument për të frenuar abuzimet në tregun e karburanteve.

Postimi i plotë: 

Si, si, do rrisni çmimin e naftës??

Karteli i hidrokarbureve që vepron si shoqatë, paska thënë që do rrisë çmimin me 20 lekë për 48 orë, deri në 40 lekë për litër në vijim!

Arsyeja e tyre – bursa!!

Kur i toleron, këta i bëjnë të gjitha, të bëjnë edhe për budalla!

Çmimi i naftës sot në pompë është 173 lekë;

është i tillë prej një viti e nuk ka lëvizur një ditë të vetme!

Ndryshoi bursa, u rrënua dollari e euro dhe çmimi i këtyre nuk ndryshoi, zero, asnjë qindarkë!

Tani çmimi do ndryshojë për 48 orë nga lufta?!

Ua thashë edhe kolegëve të mi në Partinë Socialiste sot në mëngjes: kur abuzimi ulëret, kundërmasa duhet të jetë e shpejtë dhe efektive!

Ndryshe ne do paguajmë abuzimin si qytetarë e si qeveri, këta thjesht do pasurohen!

E fundit gjë;

Bordi i Hidrokarbureve që u përdor gjatë kohës së luftës në Ukrainë – nuk është shpallur antikushtetues ndonjëherë!

Nëse do jetë profesional dhe me fokus interesin publik, mund të jetë një nga kundërmasat ndaj abuzimit.