Kryetari i Partia Mundesia, Agron Shehaj, ka publikuar një video në rrjetet sociale nga një pikë karburanti, ku shpjegon me një shembull konkret mënyrën se si formohet çmimi i naftës në Shqipëri.
Sipas tij, pjesa më e madhe e kostos që paguajnë qytetarët nuk lidhet me vetë karburantin, por me taksat e vendosura nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama. Ai thekson se, në një shumë prej 50 mijë lekësh të vjetra, rreth 20 mijë lekë përfaqësojnë çmimin real të naftës dhe kostot shoqëruese, ndërsa 30 mijë lekë janë taksa.
Në reagimin e tij, Shehaj kritikon ashpër mënyrën se si, sipas tij, qytetarëve u paraqitet situata e çmimeve. Ai shprehet se ndërhyrjet përmes bordeve apo nismave ligjore nuk ndikojnë realisht në uljen e çmimit final.
Sipas tij, çmimi i naftës përcaktohet kryesisht nga tregjet ndërkombëtare dhe jo nga vendime administrative brenda vendit. Ai pranon se mund të ketë edhe abuzime nga operatorë të mëdhenj në treg, por nënvizon se barra kryesore mbi çmimin mbetet niveli i lartë i taksave.
Shehaj sjell në vëmendje edhe një kontrast që, sipas tij, rëndon më tej situatën: Shqipëria ka ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon, ndërkohë që të ardhurat e qytetarëve mbeten ndër më të ulëtat.
Në përfundim, ai propozon një zgjidhje të drejtpërdrejtë: uljen e taksave mbi naftën si mënyra e vetme për të lehtësuar realisht kostot për konsumatorët, duke theksuar se çmimi nuk mund të ulet përmes projektligjeve apo strukturave administrative.






