Sistemi informatik i Tatimeve @CATS ka pësuar probleme serioze funksionimi, duke gjeneruar fatura të Tatimit mbi Fitimin deri në 10 herë më të larta se detyrimi real i kompanive.
Sipas burimeve nga administrata tatimore, gjatë dy ditëve të fundit inspektorët kanë konstatuar se sistemi ka çakorduar formulën që përllogarit këstet mujore të tatim-fitimit. Deri tani janë identifikuar të paktën 1500 raste faturash të fryra, ndërsa numri mund të rritet për shkak të anomalisë së pakontrollueshme informatike.
Problemi lidhet edhe me faktin se sistemi informatik i Tatimeve nuk ka pasur mirëmbajtje për rreth 6 muaj. Në korrik 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli tenderin për “Mirëmbajtjen e modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, me fond limit 770 milionë lekë (rreth 7.7 milionë euro).
Procedura u shoqërua me ankesa nga operatorët ekonomikë dhe vetëm në fund të shkurtit 2026 Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) lejoi AKSHI-n të vijojë me procesin deri në shpalljen e fituesit, një procedurë që ende nuk është përfunduar. Ndërkohë kontrata e kompanisë që mirëmbante më parë sistemin ka përfunduar.
Për pasojë, sistemi @CATS po funksionon pa mirëmbajtje dhe pa ndërhyrje teknike për të korrigjuar çakordimin e formulave të llogaritjes.
Situata krijon rrezik të madh për bizneset. Sistemi tatimor është i programuar që në rast mos-pagese të detyrimeve të gjenerojë automatikisht kamatë-vonesa dhe gjoba mbi shumën e papaguar. Kjo do të thotë se kompanitë mund të përballen me penalitete të larta edhe pse faturat janë krijuar gabimisht nga sistemi.
Edhe në rast ankimi, procedurat tatimore kërkojnë që subjektet private të parapaguajnë të gjithë shumën e faturës përpara se ta kundërshtojnë atë. Kjo i vendos bizneset në një situatë të vështirë financiare, pasi për të apeluar mbi-faturimin duhet të paguajnë më parë shumën e fryrë.
Ekspertët paralajmërojnë se faturat deri 10-fish më të larta mund të krijojnë probleme serioze likuiditeti për shumë kompani dhe në disa raste mund të çojnë edhe në ndërprerjen e aktivitetit ekonomik.






