Kreu i Konfindustrisë ngre alarmin
Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike në Shqipëri, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me një krizë të ngjashme me atë të vitit 1997 nëse nuk ndërhyhet me masa të menjëhershme dhe të mirëstrukturuara.
Sipas tij, disa nga treguesit kryesorë janë në përkeqësim të vazhdueshëm. Ai thekson se prodhimi industrial ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë 4-5 viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në rreth 5.6 miliardë euro, duke reflektuar dobësi të thella në strukturën e ekonomisë shqiptare.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me forcimin e lekut, i cili, sipas Buxhukut, nuk mbështetet nga ekonomia reale, por ndikohet nga hyrja e parave informale në vend. Në këtë kuadër, ai përmend edhe goditjet ndaj grupeve kriminale, duke sugjeruar se këto veprime vijnë më shumë si rezultat i presionit ndërkombëtar sesa i një vullneti të brendshëm politik.
Ai paralajmëron se nëse këto burime financiare ndërpriten, ekonomia mund të përballet me pasoja të rënda, duke ndikuar drejtpërdrejt te pensionet, pagat dhe niveli i taksave për qytetarët. Një zhvillim i tillë, sipas tij, mund të çojë në përmbysje të kursit të këmbimit të lekut dhe në destabilizim të përgjithshëm ekonomik.
Buxhuku shton se situata aktuale ngjan me atë të vitit 1996, një periudhë që parapriu krizën e skemave piramidale, dhe paralajmëron se përkeqësimi mund të jetë edhe më i thellë nëse ndërthuret me një krizë të mundshme të karburanteve.
“Nëse nuk merren masa, mund të kthehemi i në krizë ekonomike, si të vitit ’97. Mbajeni mend nga unë. Prodhimi industrial ka rënë këto 4-5 vite. Deficiti tregtar ka arritur 5.6 mld euro. Kjo gjendje ekonomike në Shqipëri, fortësia e lekut nuk mbahet nga ekonomia e vendit, por nga paratë kolosale të zeza. Goditja që bën SPAK, nuk është vullnet politik i vendimmarrjes i vendimmarrjes politike shqiptare, por dora e zgjatur e ndërkombëtarëve, të cilët dëmtohen nga grupet e organizuara shqiptare, që sjellin paratë e pista në vendin tonë.
Mendoni që këto goditje të SPAK, të grupeve që sjellin valutën e freskët chash do të goditen, çfarë do të ndodhë me ekonominë shqiptare? ME pensionet, taksat, pagat e shqiptarëve? Leku mund të kthehet në të kundërtën e saj, me formën e kundërt. Të ardhurat tona janë para që po ia grabit kryesisht vendeve të BE dhe po i sjell në Shqipëri.
Për këto arsye, situata në Shqipëri është e ngjashme me vitin 96, një vit para krizës së piramidave. Këto vlerësime të zymta, por reale, bëhen pa pasojat katastrofike të krizës së karburanteve. Imagjinoni kur të përzihen të dyja këto se çfarë mund të ndodhë. Është shkatërrim i përmasave të një të keqe të madhe, bërthamore, për ekonominë shqiptare, industrinë dhe qytetarët. Mund të detyrojë në rënien e rendit kushtetues, që të mbahet me forca ushtarake të huaja. Aq e rëndë është situata”, tha Buxhuku.
Në përfundim, ai e cilëson gjendjen si shumë serioze, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë, industrinë dhe qytetarët nëse nuk ndërmerren politika të qarta dhe efektive.






