Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Lajmi u bë i ditur gjatë seancës së sotme në procesin në themel për dosjen “Buka”, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e Interpol Tirana. Për këtë arsye, procesi do të vijojë në mungesë për ish-nr. 2 të qeverisë.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, deklaroi se për klientin e tij nuk ekziston asnjë masë sigurie lidhur me këtë dosje. “Masa e sigurisë është vendosur për një procedim tjetër, jo për këtë çështje,” shtoi ai.
Në kuadër të dosjes “Buka”, Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, me një dëm ekonomik që kap vlerën e 7 miliardë lekëve. Deri më tani, palët nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë paraprake, ndërsa prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, lexoi sot në gjyq kërkesën për gjykim.
Prokurori ka propozuar të pyeten si dëshmitarë 14 persona, përfshirë edhe ish-ministrin Shkëlqim Cani. Gokaj bëri me dije se janë identifikuar shuma të mëdha parash të transferuara nga Shqipëria në një vend të Bashkimit Evropian, i cili po verifikohet aktualisht.
Avokati i Ahmetajt theksoi se nëse prokuroria ka prova të tjera, ato duhet të paraqiten në mënyrë transparente. “Hetimi nuk mund të kryhet me akte surprizë. Nëse ekzistojnë prova të reja, prokurori duhet t’i paraqesë para gjykatës,” tha Ligori.






