Shqipëria, me përqindjen më të ulët në Europë të popullsisë që arrin të kursejë

Ekonomi | 10:23, 03 Janar 2026

Shqipëria renditet ndër vendet me aftësinë më të ulët për të kursyer në Europë. Vetëm 14.8% e shqiptarëve mbi moshën 15 vjeç kanë mundur të kursejnë para në një bankë apo institucion tjetër financiar, sipas të dhënave të Banka Botërore nga baza globale Findex, që i referohet një ankete të zhvilluar gjatë vitit 2024 në vendin tonë.

Ky është niveli më i ulët në Europë pas Moldavisë, duke e pozicionuar Shqipërinë dukshëm poshtë jo vetëm Bashkimit Europian, por edhe vendeve të Rajonit. Sipas të njëjtave të dhëna, në Maqedoninë e Veriut rreth 32.4% e popullsisë mbi 15 vjeç kishte arritur të kursente, gati dyfishi i Shqipërisë. Në Serbi kjo përqindje ishte mbi 26%, në Bosnje-Hercegovinë rreth 24%, ndërsa në Kosovë afro 16%.

Në kontrast të fortë me këto shifra, vendet e Bashkimit Europian shënojnë një mesatare ku mbi 55% e popullsisë arrin të ndajë para mënjanë për kursime. Për këtë tregues, Shqipëria pozicionohet më pranë vendeve të Afrikës dhe Azisë së Jugut sesa standardeve europiane.

Ekspertët theksojnë se, ndonëse gjatë dekadës së fundit ka pasur rritje të aksesit në shërbimet bankare dhe një ndërgjegjësim më të madh financiar, ekonomia shqiptare vijon të karakterizohet nga përdorimi i lartë i parasë cash dhe nga një sektor informal i konsiderueshëm, që kufizon ndjeshëm mundësinë e kursimeve.

Të dhënat e detajuara zbulojnë një pabarazi të thellë sociale. Në 40% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta, vetëm 4.3% arrijnë të krijojnë kursime bankare. Ndërsa në 60% e popullsisë me të ardhura më të larta, aftësia për të kursyer ngjitet në 21.7%, sërish një nivel i ulët krahasuar me standardet europiane.

Situata paraqitet edhe më problematike tek të rinjtë dhe në zonat rurale, ku aftësia për të kursyer është dukshëm më e ulët sesa në zonat urbane. Paga të ulëta, punësim i pasigurt dhe mungesë perspektive ekonomike i lënë këto grupe pa hapësirë financiare për kursime.

Shumica e familjeve shqiptare përballen me të ardhura që nuk përputhen me koston reale të jetesës. Ushqimi, qiraja, energjia dhe shpenzimet bazë konsumojnë pothuajse të gjithë të ardhurat mujore, duke mos lënë hapësirë për kursime.

Ndërkohë, rritja e çmimeve ka qenë më e shpejtë se rritja e pagave. Gjatë vitit 2024, Shqipëria kishte çmime të ushqimeve më të larta se mesatarja e Rajonit dhe në disa raste edhe e BE-së, ndërsa pagat mbetën shumë më të ulëta. Inflacioni i viteve të fundit ka goditur drejtpërdrejt fuqinë blerëse, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë kursimin edhe për ata qytetarë që më parë arrinin të vendosnin para mënjanë.

Të dhënat e Bankës Botërore konfirmojnë kështu një realitet të ashpër: për shumicën e shqiptarëve, kursimi nuk është zgjedhje, por luks i paarritshëm.