Bizneset dhe individët po përballen me probleme të shumta gjatë ditëve të fundit për kryerjen e shërbimeve online në Shqipëri. Ndonëse vendi është bërë i njohur ndërkombëtarisht për krijimin e Ministrisë së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, realiteti i përdoruesve është krejt ndryshe.

Në orën 14:00, faqja E-Albania hapet normalisht, por çdo përpjekje për të kryer një shërbim shfaqet e padisponueshme. Bizneset raportojnë se sistemet bazë operative nuk funksionojnë, duke penguar regjistrimin e shoqërive të reja, ndryshimet e kapitalit apo kuotave, si dhe nxjerrjen e faturave përmes platformës “Self Care”.

Sistemi i tatimeve punon normalisht, por sistemet e tjera që lidhen përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) janë jashtë funksionit. Ndërkohë, qytetarët nuk mund të bëjnë rezervime për pasaportë apo karta identiteti, pasi sistemi i gjendjes civile është i papërdorshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njoftoi se gjatë ditës do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik, gjë që mund të ndikojë në shërbimet e përdoruesve.

Eksperti fiskal Julian Saraçi thekson se ndërprerja e njëkohshme e sistemeve online përbën një problem serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën:

“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë.”

Saraçi shton se fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e backup-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.

Bizneset propozojnë masa konkrete:

  • transparencë më e madhe mbi shkaqet dhe kohëzgjatjen e ndërprerjeve;

  • forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale;

  • procedura alternative dhe shtyrje automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi;

  • komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit për të shmangur pasigurinë.

“Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme dhe funksionale,” përfundon Saraçi.