Çmimet e naftës në Shqipëri vazhdojnë të rriten, ndërkohë që vendi nuk ka marrë ende masa konkrete për të stabilizuar tregun. Sipas të dhënave të fundit, një litër naftë në pikat kryesore shitet me 198 lekë, duke shënuar një rritje prej 25 lekësh që nga fillimi i marsit.

Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar takime me kompanitë e hidrokarbureve për të diskutuar furnizimin dhe çmimet. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve ka qenë forcimi i kontrolleve mbi operatorët e sektorit. Sipas informacionit të siguruar, Ministria e Financave dhe ajo e Energjisë do të intensifikojnë monitorimin e tregtimit të karburanteve, me sanksione të mundshme që përfshijnë gjoba të rritura dhe sekuestro aktivitetesh për shkeljet e konstatuara.

Edhe pse Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për mbajtjen nën kontroll të çmimeve, nuk parashikohet rishikimi i taksave mbi karburantet apo rikthimi i Bordit të Transparencës.

Në anën tjetër, Konfindustria i kërkon qeverisë të nisë ndërtimin e një impianti për përpunimin e naftës shqiptare. Sipas tyre, ky investim shtetëror do të zvogëlonte varësinë e vendit nga importet dhe do të shmangte rritjen e ndjeshme të çmimeve, që mund të arrijë deri në 250 lekë për litër në raste emergjente, siç ndodhi gjatë krizës së Ukrainës.

Konfindustria nënvizon se ndërtimi i impiantit është mënyra më e efektshme për të siguruar stabilitet ekonomik dhe financiar në sektorin e hidrokarbureve dhe për të shmangur monopolizimin aktual të tregut. Sipas tyre, Shqipëria, duke zotëruar rezerva të mëdha nafte, nuk duhet të mbetet e varur nga lëvizjet ndërkombëtare të çmimeve.






