Nuk kishte asnjë post zyrtar
Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku del në pah një raport i diskutueshëm me biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe përfshirja e këtij të fundit në një vizitë zyrtare, pa pasur asnjë funksion publik.
Sipas materialeve hetimore, Ismailaj ka udhëtuar drejt Pragë si pjesë e delegacionit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në një kohë kur ky institucion drejtohej nga Meta. Megjithatë, ai nuk rezulton të ketë pasur asnjë rol apo mandat zyrtar në administratë.
Kjo rrethanë konfirmohet nga një shkresë e Ambasadës shqiptare në Pragë, drejtuar Ministrisë së Jashtme, ku përshkruhen detajet e vizitës dhe përbërja e delegacionit. Në dokument përmenden disa zyrtarë që do të merrnin pjesë në takimet me autoritetet çeke, përfshirë edhe Ismailajn, i cili paraqitej si pjesë e grupit shoqërues.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar SPAK, Kryeministria ka sqaruar se Ismailaj nuk ka pasur asnjë status publik në atë periudhë, as si këshilltar dhe as si ndihmës i ndonjë ministri. Pavarësisht kësaj, ai është prezantuar pranë autoriteteve çeke si pjesë e delegacionit që shoqëronte Metën.
Më vonë, Ismailaj, si pronar i kompanisë DIA, lidhi një kontratë me CEZ për mbledhjen e borxheve, çështje që u bë pjesë e hetimeve dhe që përfundoi me dënimin e tij dhe disa vite burg.
Zhvillimet e fundit lidhen edhe me vendimin e GJKKO për të kaluar në gjykim dosjen penale ndaj Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.
Meta përballet me akuza për korrupsion në disa raste, përfshirë aferën CEZ-DIA, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Kryemadhit, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të hedhë dritë mbi një nga çështjet më të debatueshme të viteve të fundit në politikën shqiptare.






