Qeveria po shqyrton zgjerimin e skemës së sigurimit të detyrueshëm të banesave, duke përfshirë jo vetëm tërmetet, por edhe përmbytjet. Ministria e Financave u ka përcjellë për konsultim institucioneve përkatëse një version të rishikuar të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, ku tashmë parashikohet edhe mbulimi i dëmeve nga përmbytjet.
Kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e ekspozimit të pronave dhe tokave ndaj fatkeqësive natyrore, veçanërisht përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në fillim të këtij viti. Sipas draftit, detyrimi për lidhjen e kontratës së sigurimit do të shtrihet te të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Projektligji parashikon që çmimi i sigurimit të mos përcaktohet nga tregu i lirë, por të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Primi i sigurimit do të llogaritet mbi bazën e nivelit të riskut, zonës gjeografike dhe tipologjisë së ndërtesës, duke u mbështetur në modele të posaçme të përshtatura për kushtet specifike të Shqipërisë.
Në thelb, nisma synon krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm financiar për përballimin e dëmeve materiale në prona, duke kaluar nga qasja reaguese pas fatkeqësive, drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut. Administrimi i skemës do të bëhet nga “Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet”, një strukturë që parashikohet edhe në versionet e mëparshme të draftit.
Në rast se ndodh një fatkeqësi natyrore, dëmet do të vlerësohen nga ekspertë të licencuar, ndërsa pagesa e dëmshpërblimit do të kryhet nga Fondi brenda afateve ligjore. Skema do të mbulojë dëmet materiale të banesës dhe të sendeve brenda saj, por nuk do të përfshijë humbjet nga aktiviteti ekonomik apo fitimet e munguar.
Drafti për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet ishte hedhur më herët për konsultim publik në korrik të vitit 2025, por nuk arriti të miratohej nga qeveria gjatë vitit të kaluar. Me ndryshimet e reja, përfshirë edhe përmbytjet, projektligji pritet të rikthehet në vëmendje si pjesë e reformës për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore.






