Shëndetësia është përfshirë në një skandal të rëndë. Mijëra punonjës të QSUT-së, mjekë, infermierë, sanitarë, staf ndihmës dhe personel administrativ, nuk kanë marrë ende pagat për muajin dhjetor 2025.

Një situatë e papranueshme dhe e përsëritur, që tregon jo vetëm keqmenaxhim të thellë financiar, por edhe mungesë totale respekti ndaj punës dhe sakrificës së personelit shëndetësor.

Sot është data 21 janar dhe mjekët ende presin pagën e muajit të kaluar.

Bluzat e bardha, të cilët çdo ditë përballen me pacientë, luftojnë për jetën e tyre dhe mbajnë në këmbë sistemin shëndetësor, janë detyruar të presin për pagën e dhjetorit, ndërsa përballen me vështirësi financiare në familjet e tyre. Pa llogaritur këtu orët shtesë të punës, turnet e zgjatura dhe ngarkesën e vazhdueshme që rëndon mbi ta.

Institucionet përgjegjëse, deri më tani, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim apo zgjidhje konkrete. Ky keqmenaxhim i vazhdueshëm jo vetëm që demoralizon personelin, por rrezikon seriozisht edhe funksionimin normal të QSUT-së dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Sistemi shëndetësor ka nevojë urgjente për transparencë, përgjegjësi dhe planifikim serioz. Në të kundërt, ky cikël vonesash dhe skandalesh do të vijojë, ndërsa ata që mbajnë shëndetësinë në këmbë – mjekët dhe infermierët – do të vazhdojnë të mbeten viktima të një administrate të paaftë.

Kjo situatë është njëkohësisht skandaloze dhe e turpshme për një sistem shëndetësor që pretendon reformë. Ndërsa flitet për rritje pagash për bluzat e bardha, infermierët dhe personelin shëndetësor, ata ende nuk kanë marrë pagën e muajit dhjetor.