pas 10 vitesh vetëm 20% e vendimeve janë zbatuar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme dhe ende të pazgjidhura të tranzicionit shqiptar: kthimin dhe kompensimin e pronave.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku kujton se kanë kaluar 10 vite nga hyrja në fuqi e ligjit për trajtimin e pronave, një ligj i miratuar nga mazhoranca socialiste, i cili sipas saj ka përfunduar afatin ligjor të zbatimit pa arritur objektivat themelore për të cilat u miratua.
Sipas këtij ligji, brenda një dekade duhej të ishin kthyer ose kompensuar të gjitha pronat, me një angazhim buxhetor që parashikohej të arrinte mbi 1 miliard euro, ose rreth 100 milionë euro në vit. Por realiteti, thekson Tabaku, është krejt tjetër.
“Pas 10 vitesh zbatim, vetëm rreth 20% e vendimeve të trajtuara pranë Agjencia e Trajtimit të Pronave kanë përfunduar, ndërkohë që afati ligjor ka skaduar,” shprehet deputetja demokrate.
Tabaku ngre pikëpyetje serioze edhe për mijëra dosje të tjera që ndodhen ende në procese gjyqësore ose në shqyrtim administrativ, ndërsa thekson se sot mungon pothuajse tërësisht mundësia e kompensimit fizik. Sipas saj, kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin se një pjesë e madhe e truallit publik është shpërndarë përmes ligjit të investimeve strategjike dhe paketave të tjera ligjore.
Deputetja e cilëson reformën e pronave si një tjetër reformë të dështuar të qeverisë socialiste, duke nënvizuar se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronësisë nuk mund të ketë investime të huaja serioze, siguri juridike dhe as respektim të së drejtës kushtetuese të pronës.
Ajo ndalet edhe te njoftimi i fundit i qeverisë për shpërndarjen e 14 milionë eurove për kompensimin e pronarëve, duke e cilësuar këtë shumë si “një pikë uji në oqeanin e detyrimeve” që shteti ka marrë përsipër një dekadë më parë.
Sipas Tabakut, rikthimi i pronës tek i zoti nuk është thjesht një çështje financiare, por kusht themelor për drejtësi, ekonomi funksionale dhe ndërtimin e një shteti të së drejtës.






