Një falje fiskale mbi 2 miliardë euro detyrime tatimore, gjoba e kamatëvonesa, por pa asnjë listë përfituesish. Kështu po konturohet projektligji më i rëndësishëm i paketës fiskale për vitin 2026, ndërsa transparenca, elementi bazë i çdo shpenzimi publik, mungon krejtësisht.
Në një vend ku çdo tender, kontratë apo pagesë publike duhet të jetë e hapur për qytetarët, institucionet po miratojnë një ligj që i lejon kompanitë të fshihen pas faljeve të mëdha. Sipas ekspertëve, kjo qasje ushqen klientelizmin dhe godet ndershmërinë e tregut.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, thotë se paratë publike që humbasin nga buxheti duhet të kenë emër e mbiemër. “Publikimi i listës duhet të jetë parakusht. Edhe nëse e kanë të parashikuar në ligj, duhet vendosur një klauzolë që jo më vonë se 31 marsi 2026 Ministria e Financave të publikojë listën. Transparenca maksimale është mënyra e vetme për të minimizuar efektet negative ekonomike, fiskale dhe politike”, thekson Malaj.
Edhe eksperti fiskal Eduard Gjokutaj ngre alarmin: “Nëse publiku nuk di kush falet, pse janë toleruar deri më sot dhe kush përfiton realisht, ky proces s’ka asnjë lidhje me transparencën dhe llogaridhënien. Rreziku është që të përfitojnë sërish ata që kanë përfituar gjithmonë.”
Ministri i Financave, Petrit Malaj, e ka justifikuar mungesën e listës me faktin se rreth 90% e borxheve i përkasin kompanive të mbyllura. Por pavarësisht kësaj, ministria refuzon t’i bëjë publikë përfituesit.
Malaj shton edhe një tjetër rrezik: “Ka biznese që e kanë lënë borxhin me idenë që s’do ta paguajnë kurrë, ndërkohë kanë hapur aktivitete të reja dhe të suksesshme në mënyrë abuzive. Nëse përfitojnë kryesisht kompanitë e mëdha, dyshohet që kemi të bëjmë me një ligj të lobuar, jo të dobishëm për ekonominë.”
Mungesa e informacionit, sipas ekspertëve, lë hapur dyshime serioze mbi mënyrën se si janë krijuar borxhet, kush është toleruar ndër vite dhe cili është efekti real i faljes te tregu dhe financat publike.
“Mungesa e llogaridhënies fsheh fajtorët. Administrata duhet të raportonte në kohë se çfarë ka bërë me paranë publike. Një evazionist nuk heq dorë nga praktikat e tij”, thotë Gjokutaj.
Në fund, transparenca e listës së përfituesve shihet si testi më i rëndësishëm i besueshmërisë së kësaj pakete fiskale dhe i drejtësisë që ndjejnë mijëra biznese që paguajnë çdo vit detyrimet ndaj shtetit.






