Emisioni investigativ “Plug” ka hedhur dritë mbi një çështje të ndjeshme, duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e fondeve të koncesionit të “Check Up”-it dhe lidhjen e tyre të mundshme me investime në ndërtimin e kullave në Tiranë.

Sipas të dhënave të publikuara, në qendër të investigimit qëndron biznesmenia Vilma Nushi, përmes kompanisë së saj “Marketing & Distribution”, e cila zotëron koncesionin e “Check Up”-it nëpërmjet “3P Life Logistic”. Kjo kompani rezulton të ketë kryer financime drejt shoqërisë “Victoria Construction”, e angazhuar në ndërtimin e kullës “Ekspozita Building”.

Një nga elementët më të fortë të ngritur në emision lidhet me një transfertë prej 1.1 milionë eurosh, e kryer në vitin 2018 nga “Marketing & Distribution” në llogari të “Victoria Construction”. Sipas bilanceve financiare, nuk specifikohet arsyeja e kësaj pagese.

Në të njëjtën kohë, investigimi thekson se pas kësaj kompanie ndërtimi qëndron emri i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Shoqëria rezulton të jetë e lidhur me familjarë të tij, konkretisht me Luan Matën.

Një tjetër detaj që ngre dyshime është koha e kryerjes së pagesës. Transferta prej 1.1 milionë eurosh është realizuar në vitin 2018, vetëm një vit përpara se të miratohej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Kjo leje u firmos në vitin 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja Belinda Balluku.

Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një godine polifunksionale në Bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, me një lartësi prej 93 metrash dhe 29 kate në total, ku do të përfshihen ambiente tregtare, zyra dhe hapësira banimi.

Sipas investigimit, pas vitit 2019, kompania “Victoria Construction” ka vijuar të marrë hua në para cash që arrijnë në rreth 8 milionë euro deri në vitin 2024, ndërsa identiteti i personave që kanë dhënë këto fonde nuk bëhet publik. Po ashtu, nuk ka të dhëna të qarta nëse shumat e mëparshme janë kthyer apo janë riinvestuar.

Një tjetër element që theksohet është fakti se në të njëjtin vit kur u krye pagesa prej 1.1 milionë eurosh, Vilma Nushi deklaron edhe përfitimin e një dividendi prej rreth 1.2 miliardë lekësh nga koncesioni i “Check Up”-it, një shumë pothuajse e barabartë me investimin në projektin e kullës.

Emisioni ngre dyshime nëse fondet e përfituara nga ky koncesion publik janë përdorur për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë dhënë, duke përfshirë investime në sektorin e ndërtimit.

Gjithashtu vihet në dukje se një pjesë e pagesave përkojnë me shpenzime për arkitektë të huaj, një kërkesë e vendosur si kusht për miratimin e lejeve të ndërtimit për projekte të kësaj natyre.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të referuara në investigim, Luan Mata nuk rezulton të ketë të ardhura të mjaftueshme të deklaruara për të justifikuar investimet e kryera, ndërsa aktivitetet e tjera ekonomike në pronësi të tij nuk kanë gjeneruar fitime të shpërndara në formë dividenti gjatë kësaj periudhe.

Kulla “Ekspozita Building” është aktualisht nën hetim nga SPAK-u që prej vitit 2021, për dyshime se mund të jetë ndërtuar me fonde që burojnë nga aktivitete kriminale.

Në përfundim, emisioni ngre një pyetje thelbësore: a janë përdorur fondet publike të “Check Up”-it për të financuar projekte ndërtimi që mund të lidhen me pastrim parash?

Pjesë nga emisioni

Pyetja që ngrihet është se mos vallë paratë e “Check Up”-it, janë përdorur edhe për qëllime të tjera?

Indiciet për përgjigjen e kësaj pyetjeje, i gjejmë në vijim.

Kompania e Vilma Nushit, “Marketing & Distriubtion”, që ka në pronësi koncensionin e “Check Up”-it nëpërmjet kompanisë “3P Life Logistic”, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Constrution”, e cila po ndërton kullën Ekspozita Building.

Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse në fakt, pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut, për trafikun e drogës.

Konkretisht, në vitin 2018, kompania “Marketing & Distribution”, kaloi për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Cosnstruction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë.

Por, derdhja e parave nga Vilma Nushi për llogari të kompanisë së babait të Ervin Matës, u bë vetëm një vit përpara se Edi Rama dhe Belinda Balluku të firmosnin lejen e ndërtimit për kullën Ekspozita Building, e cila po ndërtohet në truallin e ish-ekspozitës në kryeqytet.

Konkretisht, në vitin 2018, Vilma Nushi pagoi këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës.

Ndërsa më pas, në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit të godinës polifunksionale.

“Ekspozita Building” me vendndodhje në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’ në Tiranë.

Kulla, me lartësi 93 metra, do të ketë 29 kate, 24 mbi tokë dhe 5 nën tokë. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë si qendër tregtare, ambiente për zyra dhe banim.

Në vitet në vijim kompania “Victoria Construction” hoqi emrat e donatorëve me para cash, por ajo që bie në sy është fakti se pas vitit 2019 e deri në vitin 2024, huat e marra në para cash kapin vlerën e 8 milionë eurove.

Emrat e këtyre personave nuk deklarohen nga Luan Mata, ndërsa nuk jepen as të dhëna nëse kompania ia ka kthyer paratë Vilma Nushit apo kjo e fundit ka vijuar të rrisë fondin e investimit për ndërtimin e një kulle, e cila prej vitit 2021 është nën hetim nga SPAK-u, pasi dyshohet se ndërtohej me paratë e trafikut të drogës së Ervin Matës.

Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividentin e parë nga kompania e “Check Up”-it, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve apo përarfërsisht sa shuma që futi te kulla e një trafikanti droge.

Ndaj i mbetet detyrë SPAK-ut të zbardhë nëse paratë që shqiptarët i paguan për “Check Up”-in, kanë përfunduar për ndërtimin e kullave të grupeve kriminale në Tiranë.

Ajo qe bie ne sy është roli kyç i milionave që u janë marrë shqiptarëve për t’u investuar më pas në kullat që shndërrohen në parajsën e pastrimit të parave.

Nëse do t’i marrim me radhë, pagesat e disbursuara nga Vilma Nushi korrespondojnë pikërisht me shpenzimet për pagesat e arkitektëve të huaj, një kusht ky i vendosur nga kryeministri me qëllim miratimin e lejes.

E më pas investimet e radhës i përkasin Luan Matës, i cili të paktën në shkresat zyrtare nuk disponon të ardhura për të justifikuar shumën e disbursuar.

Për më tepër nga hoteli në pronësi ai nuk ka tërhequr divident, por çdo fitim është çuar si rritje kapitali. E po në këtë periudhë, hoteli në pronësi të Luan Matës i është nënshtruar rikonstruksionit total, çka do të pamundësonte çdo justifikim të sigurimit të të ardhurave.

Po i tolerojmë vetes të themi se kjo që sapo transmetuam, është një vjedhje direkte nga xhepat tuaj. Ju kanë vjedhur në mënyrë barbare, madje më keq se çdo pushtues. Miliona euro kanë shkuar në xhepin e një grushti njerëzish, të cilët kanë bërë sikur kanë kryer analiza mjekësore, të cilat, siç u dëshmua në emision, nuk kanë dhënë asnjë rezultat në shëndetin e popullatës.

I vetmi rezultat është zhvatja e dhjetëra milionë eurove, me një skemë të mirëorganizuar, që u nis dhe po bitiset me dirigjim të Edi Ramës. Ndaj, sa herë shkoni në spitale dhe shikoni që nuk ka ilaçe, kujtoni fitimet e Vilma Nushit me “Check Up”-in.

Sa herë shkoni në spitale dhe nuk punojnë pajisjet mjekësore, kujtoni fitimet e Vilma Nushit me “Check Up”-in.

Sa herë shkoni në spitale dhe ju duhet të prisni në radhë për një ndërhyrje se nuk ka salla operative, kujtoni fitimet e Vilma Nushit me “Check Up”-in.

Dhe mos harroni, Vilma Nushi nuk ka pasur asnjë lidhje me shërbimin shëndetësor, përkundrazi, ajo ka shitur vetëm cigare e kafe.

Sonte ndoqët vetëm kaq, por në emisionin e ardhshëm do t’ju tregojmë kompanitë e Vilmës që morën milionat e “Check Up”-it.