U kërkuan 45 vjet burg për drejtuesit e UÇK
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me tone të forta pas pretencës së Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa mungesa e çdo reagimi nga kryeministri Albin Kurti po komentohet gjerësisht në opinionin publik.
Prokuroria Speciale ka kërkuar dënime deri në 45 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, një zhvillim që ka ndezur debat të fortë politik dhe institucional në Kosovë.
Në një reagim publik, Osmani theksoi se pavarësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të popullit dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e civilëve të pafajshëm, duke nënvizuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri. Ajo deklaroi se krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës ndër vite.
Presidentja u shpreh se gjatë luftës së fundit, regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës përmes vrasjeve, masakrave, dëbimeve masive, dhunimeve dhe shkatërrimeve të gjera. Sipas saj, çdo tentativë për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e Serbisë minon besimin në drejtësi dhe dëmton paqen afatgjatë.
Osmani theksoi se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si të drejtë dhe të pastër, një e vërtetë që sipas saj nuk mund të ndryshohet nga asnjë përpjekje për të rishkruar historinë.
Ndërkohë, në kontrast të fortë me reagimin e presidentes, kryeministri Albin Kurti vijon të mos ketë bërë asnjë deklaratë publike lidhur me pretencën ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kjo heshtje po interpretohet nga shumë zëra si një qëndrim i pazakontë përballë një prej çështjeve më të ndjeshme për historinë dhe politikën e Kosovës.
Mungesa e reagimit nga shefi i qeverisë ka shtuar pikëpyetjet dhe kritikat në skenën politike dhe në opinionin publik, teksa çështja e Speciales dhe e ish-udhëheqësve të UÇK-së mbetet ndër temat më të ndjeshme për shoqërinë kosovare.






