Një dasmë VIP pritet të kurorëzojë verën e ardhshme. Moderatorja Megi Pojani dhe futbollisti Endri Çekiçi duket se kanë marrë vendimin për të hedhur hapin e madh, pas disa vitesh marrëdhënie të mbajtur larg syrit publik.
Lajmi u zbulua në mënyrë të papritur nga këngëtari Sinan Hoxha, gjatë një bisede në studio me vetë Megi Pojanin. Mes humorit dhe seriozitetit, ai ndau një detaj që menjëherë elektrizoi ambientin:
“Ky është lajm, nuk është shaka. Megi më ka rezervuar për vitin 2026. Më 12 gusht martohet”.
Reagimi nuk vonoi. Kamerat u fokusuan te moderatorja, e cila e konfirmoi deklaratën pa ekuivok, me një përgjigje të shkurtër por kuptimplotë: “Po”.
Edhe pse asnjëherë nuk e kanë pranuar zyrtarisht lidhjen e tyre, Megi Pojani dhe Endri Çekiçi prej kohësh janë konsideruar çift nga publiku dhe mediat. Postime nga vende të njëjta, udhëtime të sinkronizuara dhe detaje të vogla kanë shërbyer si “prova” të heshtura të romancës së tyre.
Historia e tyre nuk ka qenë lineare. Çifti ka kaluar periudha afrimi dhe ndarjeje, mes angazhimeve profesionale, distancës dhe – siç është përfolur – edhe xhelozisë. Megjithatë, pavarësisht këtyre ulje-ngritjeve, ata duket se kanë arritur të ruajnë lidhjen dhe ta çojnë përpara.
Megi Pojani ka qenë gjithmonë e rezervuar kur është pyetur për jetën sentimentale. Edhe pse ka pranuar se është e dashuruar, ajo ka refuzuar vazhdimisht të bëjë publike marrëdhënien e saj, duke argumentuar se ekspozimi sjell pasoja.
Në një nga deklaratat e saj më të komentuara, moderatorja shprehej se preferon ta mbajë privat partnerin, duke përdorur një metaforë që u bë virale:
“Unë gjej larva, i bëj flutura dhe krahët dua t’i përdor vetë”.
Ajo theksonte se nuk e sheh të arsyeshme ta ekspozojë publikisht partnerin, duke e kthyer lidhjen në “produkt” për konsum masiv, pavarësisht se vetë është figurë publike dhe influencuese.
Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, Megi deklaronte se ishte single, ndonëse marrëdhënia me futbollistin vijonte ende larg kamerave. Sot, pas afro një viti nga ato deklarata, duket se çifti ka lënë pas çdo paqartësi dhe po shijon një fazë më të qetë të historisë së tyre.
Nëse data e zbuluar nga Sinan Hoxha konfirmohet, vera e vitit 2026 pritet të sjellë një nga dasmat më të përfolura të showbiz-it shqiptar.






