Deklarata e fortë e gazetares: Do të vritej nga dy të burgosur të tjerë

Pas transferimit të Durim Bamit nga burgu i Fushë-Krujës drejt atij të sigurisë së lartë në Peqin, vëmendja është rikthyer sërish te niveli i sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.

Një zhvillim shqetësues është bërë publik nga gazetarja Aida Topalli, e cila në emisionin “Shqipëria Live” ka zbuluar detaje për një tentativë vrasjeje brenda një burgu të sigurisë së lartë. Sipas saj, objektiv i këtij plani ka qenë një personazh i njohur i botës së krimit, ndërsa ekzekutimi dyshohet se do të kryhej nga dy të dënuar të tjerë.

Topalli bëri me dije se ndërhyrja në kohë e autoriteteve ka bërë të mundur parandalimin e ngjarjes, por theksoi se tentativa të tilla mbeten një rrezik real brenda sistemit penitenciar.

“Kohët e fundit ka pasur një tentativë vrasjeje brenda një burgu të sigurisë së lartë. Nuk po jap më shumë informacion.

Ka pasur një insistim për t’u bërë nga vetë të dënuar. Ka pasur një insistim nga dy të burgosur për të ekzekutuar një personazh jo pak të njohur të botës së krimit.

Patjetër që janë marrë të gjitha masat dhe është parandaluar deri në momentin që flasim si ngjarje.

Kjo nuk do të thotë që nuk ka tentativa. Ndodhi njëherë në burgun e Peqinit, mund të ndodhi edhe në një burg tjetër”, u shpreh gazetarja.

Deklaratat e saj hedhin dritë mbi tensionet dhe rreziqet që ekzistojnë brenda burgjeve të sigurisë së lartë, ku përplasjet mes të dënuarve dhe konfliktet e mëparshme kriminale mund të shndërrohen lehtësisht në ngjarje të rënda.

Rasti në fjalë rikthen në fokus nevojën për masa të shtuara sigurie dhe monitorimi, në mënyrë që të parandalohet çdo përshkallëzim i mundshëm i dhunës brenda institucioneve penitenciare.