Një përplasje e re ka shpërthyer në rrjet mes producentit të njohur si Zebërvoki dhe këngëtarit Luiz Ejlli, pasi producenti ka bërë publik një reagim të fortë për një bllokim të papritur në rrjetet sociale.
Sipas Zebërvokit, gjithçka ka nisur pas një përmendjeje të emrit të Luizit në një kontekst që lidhej me projektin filmik që këngëtari po realizon. Ai thekson se përmendja ka qenë pa asnjë qëllim negativ, por reagimi që pasoi nga fansat e artistit ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër.
Producenti ka zbuluar se më pas është bllokuar nga këngëtari në rrjetet sociale, pa asnjë paralajmërim apo sqarim.
“Marr një bllok nga një që po bën film, e përmenda pa të keq njëherë, m’u kthyen fansat e atij”, shprehet ai.
Më tej, ai nuk i kurseu kritikat, duke e konsideruar këngëtarin në konkurrencë të drejtpërdrejtë me projektet e tij filmike dhe duke aluduar për përpjekje për të thyer rekordet e filmit “Falli”, prodhuar prej tij.
“Është njëri që do të thyejë rekordet e ‘Fallit’, po bën çmos që të thyejë rekordet e ‘Fallit’. I uroj sukses vetëm që të plotësojë atë ego, se ka ego të sëmurë”, deklaroi Zebërvoki.
Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi për krahasimet që, sipas tij, po bëhen mes tij dhe këngëtarit, duke theksuar se karriera e tij është ndërtuar pa mbështetje financiare apo marketing të fuqishëm.
“Si nuk i vjen turp nga vetja që të krahasojë potencialin e tij me mua, se unë jam individ nga hiçi, pa lekë, pa marketing”, tha ai.
Në fund, producenti shtoi se bllokimi ka ardhur në mënyrë të papritur, pavarësisht se vetëm pak javë më parë, sipas tij, kishin komunikuar normalisht.






