“SHBA e angazhuar për të luftuar krimin”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar për një intensifikim të partneritetit me institucionet shqiptare në fushën e zbatimit të ligjit, duke theksuar angazhimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Në një reagim zyrtar, ambasada bëri të ditur se Drejtori për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Tervakoski, zhvilloi një seri takimesh me drejtues të institucioneve kyçe shqiptare dhe partnerë ndërkombëtarë në vend.

Gjatë vizitës në Tiranë, Tervakoski u takua me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodjan Braho, kryetarin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Erjon Bani, si dhe me përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Takimet përfshinë gjithashtu përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, agjencive të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA, fokusi i diskutimeve ishte forcimi i kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër trafikut të drogës dhe veprimtarive të tjera kriminale që cenojnë sigurinë publike.

Ambasada theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ofruar mbështetje përmes trajnimeve, asistencës teknike dhe mjeteve të specializuara për institucionet shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit të ngushtë me vendet aleate që ndajnë të njëjtin angazhim në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se bashkëpunimi SHBA–Shqipëri synon të forcojë sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e kufijve dhe luftën kundër rrjeteve kriminale që veprojnë në nivel rajonal dhe global. Vizita e zyrtarit të lartë amerikan konsiderohet si një sinjal i qartë për vazhdimin e mbështetjes amerikane ndaj reformës në drejtësi dhe institucioneve të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.