“Me thoshte rri në këtë pozicion, lëvizte gishtat”

Një ngjarje shqetësuese është bërë publike nga një e re në Korçë, e cila ka denoncuar mjekun e spitalit rajonal, Nikolla Nunka, për sjellje të papërshtatshme pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që ai kishte kryer ndaj saj.

Sipas saj, incidenti ka ndodhur gjatë një vizite mjekësore pas operacionit, në një moment kur kishte shkuar për të trajtuar plagën. Ajo shpjegon se fillimisht kishte qenë në shoqërinë e gjyshes, ndërsa më pas situata mori një drejtim të papritur dhe të pakëndshëm.

“Në orën 6 u prezantova me gjyshen në dhomën e mjekimit të atij doktorit. Kur unë po hiqja pizhamet dhe mbathjet, ai u afrua pas meje dhe më thoshte: shiko sa mirë jam, kam marrë ngjyrë në fytyrë dhe më pas më mori nga fytyra dhe më puthi më pas vazhdoi me aplikimin e kremit. Unë u shmanga kur më puthi, unë ngela pa fjalë.

Më pas vazhdoi me kremin që ishte për infeksion vaginal dhe ai thoshte ri në këtë pozicion dhe lëvizjet e gishtave që nuk ishin të duhura për një mjekim, edhe pozicionet. Unë u shmanga dhe më pas mbaroi vizita dhe dola me gjyshen dhe shkova te dhoma.

Më kishte thënë që të prezantohesha për të hënën në orën 8 dhe 6 që të aplikonte kremin dy herë në ditë”, rrëfeu ajo në emisionin “Me Zemër të Hapur”.

E reja tregon se pas këtij episodi ka vendosur të flasë fillimisht me familjarët e saj, duke gjetur mbështetje tek gjyshja dhe babai, të cilët e inkurajuan të mos e linte me kaq situatën.

Ajo ka përshkruar edhe momentin e përballjes me mjekun, në prani të autoriteteve policore, ku sipas saj, ai i ka mohuar kategorikisht akuzat.

“Pata një ballafaqim me doktorin kur u bë denoncimi. Unë i thashë atij të vërtetën, që këto gjeste i ke bërë. Më tha që jo nuk e kam bërë, unë i thashë që të të vijë turp. Po ta bënte ai punën siç unë nuk do kishte arsye pse ta sillja situatën këtu. Nuk është e vërtetë që unë e bëra për lekë. Unë erdha këtu për pushime nga gjyshërit. Nuk më mungojnë lekët”, u shpreh ajo.

Rasti ka nxitur reagime dhe pritet që institucionet përkatëse të hetojnë plotësisht pretendimet, për të zbardhur të vërtetën dhe për të vendosur përgjegjësitë ligjore.