Sot, 27 vite nga bombardimet në Serbi
Sot shënohet një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të rajonit – përvjetori i nisjes së fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe, me synim ndaljen e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Më 24 mars 1999, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për një armëpushim, aleanca ndërhyri ushtarakisht ndaj regjimit të Sllobodan Milloshevic. Operacioni ajror zgjati 78 ditë dhe përbënte një kthesë vendimtare në zhvillimet e konfliktit.
Në atë kohë, presidenti amerikan Bill Clinton deklaroi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të kufizuar aftësinë e regjimit serb për të vijuar luftën ndaj popullsisë civile në Kosovë. Vendimi për nisjen e sulmeve ajrore u autorizua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.
Kjo ndërhyrje shënoi një precedent historik, pasi ishte hera e parë që NATO përdorte forcën ushtarake pa një mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Gjatë fushatës, rreth 1.000 avionë operuan nga baza të ndryshme në Evropë dhe nga aeroplanmbajtëse në Detin Adriatik, duke realizuar mbi 38 mijë fluturime, përfshirë më shumë se 10 mijë misione sulmuese. Objektivat kryesore ishin infrastruktura ushtarake, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe rrjetet strategjike të komunikimit dhe energjisë.
Pas më shumë se dy muaj bombardimesh, ndërhyrja përfundoi me pranimin e kushteve të komunitetit ndërkombëtar nga pala jugosllave. Kjo u formalizua me Marrëveshja e Kumanovës, e cila parashikonte tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare të sigurisë.
Në vijim, u dislokua misioni paqeruajtës KFOR, i cili fillimisht përbëhej nga rreth 50 mijë trupa dhe vazhdon të jetë prezent edhe sot me mijëra efektivë nga vende të ndryshme.
Konflikti la pas pasoja të rënda njerëzore dhe materiale. Rreth 13 mijë persona humbën jetën, mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa qindra mijëra qytetarë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë luftës.
24 Marsi mbetet një datë që shënon jo vetëm ndërhyrjen ushtarake, por edhe një moment vendimtar për fatin e Kosovës dhe përpjekjet ndërkombëtare për ndaljen e një krize humanitare në zemër të Evropës.






