Beteja për mungesat e kimiove për fëmijët me kancer
Osman Stafa fiton betejën me Apelin
Gazetari Osman Stafa ka rrëfyer betejën e gjatë disavjeçare për një nga çështjet më të ndjeshme në sistemin shëndetësor: mungesën e medikamenteve dhe trajtimeve kimioterapike për fëmijët.
Pas një procesi të zgjatur, Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë vendimin e Apelit, duke i hapur rrugë rishqyrtimit të kësaj çështjeje të denoncuar publikisht prej tij. Edhe pse ky zhvillim shihet si një hap përpara, vonesa prej katër vitesh ka ngritur pikëpyetje të forta mbi reagimin e institucioneve.
Sipas gazetarit, denoncimet e tij kanë qenë të vazhdueshme dhe të mbështetura me prova konkrete që nga viti 2020. Ai thekson se për një periudhë të gjatë ka dokumentuar raste dhe ka dorëzuar materiale pranë organit të akuzës, duke kërkuar hetim mbi mungesën e barnave jetike për pacientët e vegjël.
Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, Prokuroria e Tiranës e ka rrëzuar fillimisht çështjen, duke argumentuar se nuk kishte elementë për ndjekje penale. Ky vendim është kundërshtuar nga gazetari, i cili ka vijuar me ankimimet në instancat më të larta.
Në këtë proces, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe QSUT, e cila sipas tij ka konfirmuar zyrtarisht mungesën e medikamenteve, duke përforcuar pretendimet e ngritura publikisht.
Ndër rrëfimet më të rënda që ai ndau është rasti i një vajze 5-vjeçare të diagnostikuar me kancer. Sipas tij, për shkak të mungesës së ilaçeve, trajtimi i saj u ndërpre, ndërsa dhimbjet nga procedurat e vazhdueshme e kishin lodhur fizikisht dhe emocionalisht. Në një moment dëshpërimi, familja vendosi ta largonte nga spitali, me bindjen se nuk kishte më zgjidhje.
Ky rast, sipas gazetarit, është vetëm një nga shumë histori që tregojnë pasojat e drejtpërdrejta të mungesës së barnave në sistemin publik. Ai ngre shqetësimin se përgjegjësia për sigurimin e medikamenteve mbetet një çështje e paqartë mes institucioneve, ndërkohë që pacientët përballen me pasojat më të rënda.
“Një lajm i mirë po pas plot 4 vitesh. Dhe kur duhen 4 vite për të marrë një dritë jeshile që të bëhet drejtësi për fëmijët, patjetër është vonë. Por tek e fundit është edhe njëlloj shprese që drejtësia mund të vendoset. Për 2 vite kam çuar prova prokurorisë, që nga viti 2020, 2021, 2022 ka pasur mungesë të barnave për fëmijët. Si trajtoheshin ata fëmijë në mungesë të atyre barnave? Prokuroria e rrëzoi dhe tha nuk ka çështje. Unë i qëndrova të gjitha pretendimeve që kisha bërë në kallëzim. Pyetjet që që kisha ngritur ia kam çuar si kërkesë për informacion drejtorisë së QSUT. Drejtoria e QSUT i thotë ‘po mungojnë medikamentet, vërtetoi pretendimet e mia. Dhe prokuroria e Tiranës e rrëzoi. Çështjen e apelova të gjykata e shkallës së parë…Unë jam gazetar ngre pretendimet, dhe ti je organi akuzës… Kam paraqitur prova, raste. Një nga rastet që më ka tronditur, ishte kur një vajzë 5 vjeçe me kancer, nuk e dinte më çfarë përballej, por krahët i kishte të nxirë dhe sa herë shihte bluzat e bardha qante se nuk duronte dot dhimbjet nga shpimet. Nëna e mori dhe e çoi në shtëpi, “e kam çuar vajzën për të vdekur në shtëpi sepse nuk ka ilaçe”. Doktorët i kishin thënë prindërve se nuk është përgjegjësia jonë për të siguruar medikamente por e ministrisë e shtetit shqiptar”, u shpreh Osman Stafa në “Kjo Javë”.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë shihet si një mundësi për të rikthyer vëmendjen mbi këtë problem dhe për të nxitur një hetim më të thelluar. Megjithatë, për familjet që kanë përjetuar situata të tilla, drejtësia e vonuar mbetet një plagë e hapur.






