Policia Kriminale e Tiranës ka zgjeruar hetimin ndaj rrjetit të dyshuar të mashtrimeve me “call center”, duke vendosur në verifikim emra kyç si Granit Pepnika, Fisnik Nezaj dhe Jurgen Mela, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas të dhënave hetimore, këta persona dyshohet se kanë pasur role organizative dhe menaxheriale në skema mashtrimi financiar që kanë goditur qytetarë të Bashkimit Europian, kryesisht në Austri dhe Gjermani. Hetimi është ushqyer nga materiale të ardhura nga autoritetet e huaja dhe ka çuar në arrestimin e disa personave, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në qendër të strukturës shfaqet një model i përsëritur: hapje kompanish, përdorim për aktivitet dhe pezullim i menjëhershëm. Kompani si “Gama Media Communication” 2021–2022, e lidhur me Pepnikën dhe Melën, u pasua nga struktura të tjera si “Upstream Creative”, ku, sipas dëshmive të punonjësve, Pepnika ushtronte kontroll faktik. Zyra operonte në qendër të Tiranës, në ambientet e “Millennium Business Center”.

Paralelisht, rrjeti shtrihet edhe te kompani të krijuara nga Nezaj dhe të transferuara më pas te Marsel Lami me çmime simbolike, si “Iota Network”, “Victory Communication” dhe “Espiron Studio”. Këto subjekte janë mbyllur në një periudhë që përkon me intensifikimin e hetimeve, duke ngritur dyshime për fshirje gjurmësh.

Një tjetër hallkë është Xhoel Mekolli, i cili nga operator i thjeshtë rezulton të ketë kaluar në aktivitete investimi, të cilat po verifikohen për funksion të mundshëm në qarkullimin e të ardhurave të dyshimta.

Operacioni ka prodhuar sekuestrimin e rreth 891 mijë eurove, qindra pajisjeve elektronike dhe arrestimin e disa personave, ndërsa të tjerë mbeten në kërkim. Dosja pritet të kalojë në fazë gjyqësore.

Në këtë kontekst, një burim i sigurt i tha gazetarit tonë se dyshohet për një pagesë prej 1 milion eurosh nga Pepnika, me qëllim mbylljen e çështjes në Prokurorinë e Tiranës.

Publik Media po investigon edhe blerjen e një hoteli nga Granit Pepnika, me vlerë mbi 25 milionë euro, ndërsa po vijon mbledhjen e fakteve rreth aktivitetit të tij brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kujtojmë se Pepnika ka kërcënuar me jetë drejtorin e Publik Media, z. Naim Noka, pas një investigimi lidhur me veprimtarinë e dyshuar mashtruese dhe kriminale të Granit Pepnikës.