JI detyruar të bëjë ndryshime

Naim Noka

Kriza që po përjeton sot vendi nuk është një stuhi e papritur. Ajo ka emër dhe mbiemër politik. Edi Rama e prodhoi këtë përplasje institucionale me një lëvizje të menduar si zgjidhje përfundimtare: t’i paraprijë avancimit të SPAK drejt zyrës së kryeministrit.

Vetë Rama e ka pranuar se kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk synonte zgjidhje për një rast konkret, por një interpretim të gjerë, afatgjatë, që do t’i jepte atij mburojë politike dhe institucionale. Por ajo që ndodhi ishte një “vendim pa vendim”. Gjykata nuk prodhoi zgjidhje. Kriza u rikthye në pikën zero  dhe në fytyrën e kryeministrit.

Sot, rrugët janë disa. Mund të hapet një krizë e thellë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Mund të provohet formula e një kabineti ekspertësh. Mund të tentohet një qeveri teknike, siç e artikulon opozita. Mund të ketë edhe skenarë të tjerë tranzitorë.

Por le të jemi realistë: zgjidhja më e pastër dhe më efikase është një hap pas nga vetë Edi Rama.

Jo dorëzim. Jo dramë. Jo përmbysje. Thjesht hapje rruge.

Partia Socialiste ka një shumicë të fortë parlamentare. Askush nuk po kërkon rrëzim të mazhorancës. Përkundrazi, respektimi i këtij realiteti kërkon që vetë mazhoranca të prodhojë një kryeministër të ri socialist — një figurë të papërlyer nga hijet e hetimeve, një qeveri përfaqësuese, me profil profesional dhe integritet politik.

Kjo do të ishte një lëvizje që nuk mbyll thjesht një vrimë, por hap një epokë të re. Një qeveri që punon, ndërkohë që debati politik zhvillohet në Kuvend  qoftë edhe i ashpër  mes Edi Ramës dhe Sali Berishës si dy figura që përfaqësojnë të shkuarën e tranzicionit shqiptar.

Sepse, në thelb, kjo nuk është vetëm krizë politike. Është krizë morale dhe institucionale.

Çdo zgjidhje tjetër do të ishte sforcim. Zgjedhjet e parakohshme do të prodhonin përplasje dhe polarizim. Qeveria teknike do të krijonte precedent të brishtë. Zvarritja do të dëmtonte klimën ekonomike dhe marrëdhëniet diplomatike.

Duket qartë se në sfondin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese kanë peshuar edhe faktorë ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është një ishull. Çdo përplasje institucionale në Tiranë lexohet në Bruksel dhe në Uashington. Vijimi i krizës vetëm do të shtojë tensionin dhe do të dëmtojë perspektivën diplomatike të vendit.

Ndërsa një tranzicion i qetë brenda së njëjtës mazhorancë do të hapte menjëherë portat për takime të nivelit të lartë në BE dhe SHBA dhe do të rikthente stabilitetin institucional.

Ndoshta koha politike e Edi Ramës po mbyllet. Jo me përmbysje dramatike, por me dialektikën e natyrshme të pushtetit. Ashtu siç erdhi një ditë, vjen edhe momenti për të lënë vendin.

Dhe ndoshta, në fund të fundit, ai do të gjente më shumë paqe mes kanavacës dhe bojërave, aty ku talenti i tij mund të zhvillohet dhe ku krizat zgjidhen me ngjyra, jo me interpretime kushtetuese. Sigurisht pa lënë pas dore talentin e tij ne gazetari dhe publicistikë në podkast.

Sepse historia politike shqiptare nuk ka nevojë më për zgjatime artificiale, por për tranzicione të mençura.

Dhe koha, si gjithmonë, nuk fal askënd.