DURRËS – Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili u vu në pranga pas një incidenti të rëndë të regjistruar fundjavën e kaluar, ku pasi u ndoq nga efektivat e rendit, përplasi qëllimisht mjetin e policisë.
Mbi 44-vjeçarin rëndojnë disa akuza, duke përfshirë “kundërshtimin me dhunë të punonjësve të rendit publik”, “shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimin e automjetit në gjendje të dehur”.
Përsëritës brenda dy muajve, avokati: Kishte 1.4 mg/l alkool
Gjatë seancës gjyqësore, Abazaj ka mbajtur qëndrim pohues dhe ka shprehur pendesë për veprimet e tij. Megjithatë, ajo që ka rënduar pozicionin e tij ligjor ka qenë fakti se ai është një përsëritës i të njëjtës vepër penale brenda një kohe shumë të shkurtër.
Avokati mbrojtës, Vladimir Skënderi, zbuloi para trupit gjykues se klienti i tij ishte arrestuar për të njëjtën shkelje edhe dy muaj më parë, ngjarje për të cilën ndodhej nën masën shtrënguese “detyrim paraqitjeje”.
“Niveli i alkoolit në gjakun e klientit tim gjatë testit rezultoi 1.4 mg/l, një shifër jashtëzakonisht e lartë. Ai ka mbajtur qëndrim pohues dhe është penduar,” u shpreh avokati Skënderi.
Pavarësisht pendesës, Gjykata vlerësoi se 44-vjeçari paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe vendosi ta lërë atë në qeli pa afat.
Si ndodhi incidenti në zonën e ish-Kënetës?
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Banorët e zonës, të alarmuar nga një automjet që po lëvizte me shpejtësi të skëterrshme dhe në mënyrë të pakontrolluar, njoftuan menjëherë sallën operative.
Në momentin që patrulla e policisë ka mbërritur dhe ka tentuar t’i bëjë shenjë ndalimi, Rezart Abazaj ka tentuar t’u shpëtojë prangave. Gjatë manovrave të rrezikshme për t’u larguar, ai ka lëvizur me marshin mbrapsht duke goditur me forcë automjetin e policisë.
Një koincidencë rrëqethëse: Ky incident ndodhi vetëm pak metra larg vendit ku pak kohë më parë u shënua një aksident tragjik, i cili i mori jetën dy të miturve dhe la të plagosur një të tretë, zonë ku banorët vazhdimisht kanë bërë thirrje për rritje të sigurisë rrugore nga shoferët e papërgjegjshëm.






