Një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë post-komuniste është koncesioni i Patos–Marinës, vendburimi më i madh i naftës në vend. Historia e kësaj pasurie kombëtare është kthyer në një zinxhir abuzimesh, ku firma koncesionare Bankers Petroleum u amnistua për çdo shkelje, ndërsa shqiptarët pronarët e vërtetë të nëntokës mbetën më të varfër.
Tre muaj pas arrestimit të disa drejtuesve dhe ish-drejtuesve të kompanisë, çështja vazhdon të mbetet e paqartë. Dosja e “Bankers” është më shumë se një aferë korporate: është pasqyrë e një sistemi të tërë ku politika, bankat, institucionet shtetërore dhe bizneset e lidhura kanë mbyllur sytë ose kanë marrë pjesë.
Pse hesht SPAK-u?
Në një vend me drejtësi të vërtetë, përveç disa menaxherëve të arrestuar, para drejtësisë duhet të ishin dhjetëra ministra, drejtorë, bankierë e zyrtarë që lejuan apo mbuluan abuzimet. Megjithatë, SPAK hesht. Dosja vazhdon të mbahet në Prokurorinë e Fierit, ndërkohë që pikërisht aty janë bërë vite me radhë mbulime e vonesa që i kanë shërbyer vetëm koncesionarit.
Pyetja është e thjeshtë: pse SPAK-u nuk merr në dorë këtë skandal? A mos sepse fijet çojnë deri në qeveri, në banka të mëdha të nivelit të dytë dhe në kompleksët luksozë që po ngrihen në Tiranë?
6 miliardë euro të xhiruara, fitime “sa një market lagjeje”
Nga viti 2005 deri në 2025, Bankers ka eksportuar naftë bruto në vlerën 598 miliardë lekë , mbi 6 miliardë euro. Megjithatë, fitimet e deklaruara kanë qenë minimale, aq sa një dyqan i zakonshëm lagjeje.
Në përgjimet e prokurorisë del qartë se kompania mbante llogari të fshehura në Raiffeisen Bank, fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Austri, të padeklaruara në AKBN apo Tatime. Kush e lejoi këtë? Pse nuk hetohet banka që mbajti dhe transferoi paratë e nëntokës shqiptare?
Gjoba 100 milionë euro e zhdukur
Në vitin 2019, Drejtoria e Doganave i vendosi Bankers Petroleum një gjobë prej 100 milionë euro për shmangie akcize. Por, me një vendim të papritur, Ministrja e Financave e asaj kohe, Anila Denaj, pezulloi procedurën. Gjobë që nuk u mblodh kurrë. Sot, as ish-ministrja e as zyrtarët e Doganave nuk janë nën hetim. Një vendimmarrje e dyshimtë që i kushtoi shqiptarëve një shumë kolosale.
“Shushunjat” e nënkontraktorëve dhe amnistia e zyrtarëve
Bankers nuk veproi vetëm. Dhjetëra firma nënkontraktore, të njohura si “shushunja”, përfituan miliona euro me pagesa preferenciale. Por asnjëra nuk është në hetim. Ashtu si edhe zyrtarët e AKBN-së, Tatimeve dhe institucioneve të tjera kontrolluese, që për vite të tëra mbyllën sytë ndaj shkeljeve flagrante.
A ishte skema thjesht një “spastrimi” i pronarëve?
Sot, disa muaj pas goditjes, qeveria sinjalizon se Bankers po ndryshon pronar. Kjo çon tek një tjetër dyshim: a ishte gjithë ky aksion një skenar për të larguar kinezët dhe për t’ia kaluar pasurinë e Patos–Marinës njerëzve të besuar të mazhorancës?
Shqiptarët duan përgjigje
Paratë e naftës duhet të ishin kthyer në rrugë, shkolla e spitale. Në vend të kësaj, ato u zhdukën në llogari bankare jashtë vendit, në kulla e resorte private.
Shqiptarët presin që SPAK të “ndjekë paranë”, të hetojë jo vetëm disa drejtues, por gjithë zinxhirin e përgjegjësve, nga ish-ministrat, tek bankierët, tek firmat që përfituan.
Derisa kjo të ndodhë, afera “Bankers” do të mbetet simbol i kapjes së pasurive kombëtare dhe i drejtësisë që mbyll sytë para të mëdhenjve.






