Skandal në Sarandë
Denoncimi për Kostaq Motron për matje selektive, mungesë disipline dhe dyshime për abuzim me procesin e legalizimeve
Një denoncim i mbërritur pranë redaksisë së publik.al hedh dritë mbi dyshime serioze për abuzim me detyrën në sektorin e legalizimeve në Sarandë, konkretisht për trajtimin e objekteve të ndërtuara gjatë viteve ’90.
Sipas denoncimit, në qendër të shqetësimit qëndron një punonjës i Kadastrës në Sarandë, Kostaq Motro, i cili akuzohet se ushtron detyrën në mënyrë selektive dhe jashtë standardeve ligjore. Denoncuesi pretendon se ai kryen matje vetëm për raste të përzgjedhura, duke lënë pezull një numër të konsiderueshëm aplikimesh të qytetarëve të tjerë.
Denoncimi ngre gjithashtu shqetësime për mungesë të disiplinës në punë. Sipas të njëjtave burime, punonjësi në fjalë nuk respekton orarin zyrtar dhe paraqitet në vendin e punës sipas një agjende personale, duke krijuar vonesa dhe pengesa në procesin e legalizimeve.
Më tej, qytetarët pretendojnë se Motro e prezanton veten si “drejtor”, pavarësisht se mban një funksion tjetër, atë të Përgjegjësit në sektorin e legalizimeve në strukturën e institucionit, dhe se në disa raste dyshohet të ketë zhvilluar marrëveshje informale me qytetarë në nevojë, duke ngritur dyshime për praktika korruptive.
“Kostaq Motro Përgjigjes në sektorin e legalizimeve Sarandë, te objekteve të viteve 90. Denoncime kanë ardhur për Kostaq Motro. Bën matje me selektim dhe nuk bën punë, punon kur do sipas orarit jo zyrtar. Është punonjës i Kadastrës Sarandë. E quan veten ‘drejtor’ dhe bën vetë pazaret me qytetarët hallexhinj,” thekson denoncuesi.
Procesi i legalizimit të objekteve të ndërtuara në mënyrë informale mbetet një ndër çështjet më sensitive për shumë familje shqiptare, veçanërisht në zonat bregdetare si Saranda, ku presioni për zhvillim urban është i lartë. Çdo devijim nga procedurat ligjore jo vetëm cenon besimin e qytetarëve tek institucionet, por edhe rrezikon të krijojë pabarazi në trajtimin e kërkesave.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me këto pretendime. Mbetet për t’u parë nëse organet kompetente do të nisin një verifikim të plotë administrativ apo hetim për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.









