Qeveria e Kosovës pritet të miratojë një shpërblim prej 500 mijë eurosh për përfaqësuesen e futbollit pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, një sukses që ka rritur ndjeshëm pritshmëritë për kualifikimin historik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se vendimi do të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës të Qeverisë, duke theksuar se iniciativa vjen me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Muratit, shpërblimi është një vlerësim për performancën e ekipit pas triumfit 4-3 ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it, një ndeshje që konsiderohet ndër më të rëndësishmet në historinë e futbollit kosovar.
Ndërkohë, Kurti ka bërë edhe një premtim më të madh: nëse Kosova arrin të mposhtë Turqinë në finalen që do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri dhe siguron një vend në Kupën e Botës 2026, shpërblimi për futbollistët dhe stafin do të rritet në 1 milion euro.
Fitorja ndaj Sllovakisë ka rritur entuziazmin dhe besimin tek skuadra, ndërsa finalja e së martës pritet të jetë vendimtare për një arritje historike në arenën ndërkombëtare.






