Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim në ambientet e Kryeministrisë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Takimi vjen në një moment kyç, pasi ambasadorja pritet të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme në sektorin energjetik mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe një kompanie amerikane.

Kjo nuk është hera e parë që dy zyrtarët takohen, pasi në muajin mars ata zhvilluan një bisedë joformale, gjithashtu në Kryeministri, duke sinjalizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit mes palëve në fusha strategjike.
Marrëveshja që pritet të finalizohet sot lidhet me ndërtimin e një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror në zonën e Devollit. Ky projekt konsiderohet me rëndësi të veçantë, pasi synon të rrisë sigurinë energjetike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin më të gjerë të Ballkanit.

Për më tepër, një investim i tillë pritet të forcojë pozicionin e vendeve të rajonit në hartën energjetike evropiane, duke i integruar më tej në rrjetet ndërkombëtare të furnizimit me gaz dhe duke diversifikuar burimet energjetike.






