Shqipëria në avantazh ndaj Polonisë në Varshavë, Hoxha ndëshkon gabimin e mbrojtjes vendase

Shqipëria e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë të sfidës ndaj Polonisë në transfertën e Varshavës, falë golit të shënuar nga Arbër Hoxha në minutën e 42-të.

Takimi në stadiumin PGE Narodowy është mbyllur 0-1 për kuqezinjtë në 45 minutat e para, pas një aksioni të shpejtë që erdhi si rezultat i një gabimi në prapavijën polake. Një top i gjatë në zonë u keqmenaxhua nga mbrojtësi Jan Bednarek, ndërsa Hoxha përfitoi menjëherë, shmangu portierin dhe dërgoi topin në rrjetë.

Pjesa e parë nisi pa raste të pastra shënimi, me të dyja skuadrat që studiuan lojën në minutat e para. Rreth minutës së 20-të, Polonia rriti kontrollin e topit, duke tentuar të krijojë hapësira në zonën e Shqipërisë.

Në minutën e 26-të, Shqipëria fitoi një goditje dënimi, ku Kristjan Asllani ekzekutoi një kros të rrezikshëm, por mbrojtja vendase reagoi në kohë duke larguar rrezikun.

Polonia u kundërpërgjigj në minutën e 30-të me një aksion nga Meti Kesh, por tentativa e tij u neutralizua nga mbrojtja kuqezi.

Në minutën e 34-të, Mario Mitaj u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të ashpër, vendim i marrë nga arbitri Anthony Taylor.

Presioni i Polonisë u shtua në minutën e 37-të, por pa arritur të konkretizohej, pasi mbrojtja shqiptare reagoi saktë në disa ndërhyrje vendimtare dhe largoi rrezikun nga zona.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Shqipërisë, e cila shkon në pushim me avantazh dhe me një paraqitje të organizuar përballë një kundërshtari të fortë.