Kuq e Zinjtë zhvillojnë paraqitje dinjitoze në kampionatin Ballkanik të MMA-së

Shqipëria ka regjistruar një paraqitje të suksesshme në Kampionatin Ballkanik të MMA-së, të zhvilluar në Beograd, duke u kthyer me rezultate inkurajuese dhe disa medalje në arenën rajonale.

Në mesin e performancave më të spikatura ishte ajo e Alkeo Biçit, i cili arriti të shpallet nënkampion i Ballkanit dhe të sigurojë medaljen e argjendtë pas një rruge konkurruese të fortë. Ndërkohë, Jorig Daci, Renis Hyka dhe Noel Ndrecaj kontribuan në suksesin e delegacionit shqiptar duke fituar nga një medalje bronzi secili.

Një tjetër emër që tërhoqi vëmendje ishte Gersi Aliu, i cili në debutimin e tij në një kompeticion ndërkombëtar u rendit në vendin e pestë, duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen.

Pas përfundimit të garave, presidenti i Federatës Shqiptare të MMA-së, Arjan Rizai, vlerësoi paraqitjen e sportistëve, duke theksuar se rezultatet janë fryt i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për më shumë mbështetje dhe investime në këtë disiplinë, me qëllim rritjen e mëtejshme të nivelit dhe përfaqësimit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.