Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me ndalimin e katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet në Serbia, duke bërë të ditur se po e ndjek çështjen me vëmendje të plotë përmes përfaqësisë diplomatike në Beograd.
Sipas njoftimit zyrtar, Ambasada e Republikës së Shqipërisë ka ndërhyrë menjëherë pranë institucioneve përkatëse serbe, duke kërkuar informacion të detajuar mbi rrethanat e ndalimit dhe duke insistuar në respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente dhe po ofron asistencë të plotë konsullore. Kjo përfshin kontaktet me familjarët e të ndaluarve, si dhe garantimin e aksesit të tyre ndaj mbrojtjes ligjore përmes avokatëve.
Në reagimin e saj, MEPJ thekson se pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar.
Ngjarja lidhet me arrestimin e katër shtetasve shqiptarë një ditë më parë, të cilët sipas autoriteteve serbe akuzohen për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare. Dyshohet se një prej tyre ka publikuar në rrjetin social Facebook një video ku shfaqen duke udhëtuar me automjet në një autostradë në Serbi, ndërsa mbanin simbole kombëtare shqiptare.
Të ndaluarit janë identifikuar me inicialet A. S. (37 vjeç), E. V. (42 vjeç), E. G. (48 vjeç) dhe A. C. (18 vjeç). Autoritetet serbe pretendojnë se përmbajtja e publikuar ka nxitur urrejtje, ndërsa rasti mbetet në shqyrtim.






