Një operacion i gjerë ndërkombëtar ka çuar në arrestimin në Shtetet e Bashkuara të një shtetasi shqiptar të shumëkërkuar prej dekadash. Bëhet fjalë për Sokol Hoxhën, 51 vjeç, i lindur në Fier, i cili akuzohet për tre vrasje të rënda në Shqipëri dhe Belgjikë.

Sipas Policisë së Shtetit, Hoxha ishte në kërkim prej vitit 1997 dhe rezulton i dënuar nga Gjykata e Fierit në vitin 2000 me 25 vite burg për “vrasje të kryer në bashkëpunim”. Hetimet tregojnë se më 30 mars 1997, në Patos, ai dyshohet se, së bashku me një person tjetër, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezër për motive të dobëta.

Ngjarjet kriminale të lidhura me të nuk ndalen në Shqipëri. Në vitin 2010, Gjykata e Brukselit e ka dënuar me burgim të përjetshëm për një tjetër vrasje të ndodhur në Belgjikë. Sipas dosjes, më 29 gusht 1997, ai ka vrarë me armë zjarri një shtetase shqiptare në Bruksel, e cila më herët dyshohet se ishte shfrytëzuar për prostitucion.

Arrestimi i tij u realizua në shtetin e Ohajos, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, si rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit, Interpolit dhe agjencive ligjzbatuese amerikane. Në këtë operacion u përfshinë gjithashtu Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Interpol Uashingtoni, Mançesteri dhe Brukseli, si dhe Marshallët Amerikanë.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se vijon puna në koordinim me partnerët në SHBA për ekstradimin e 51-vjeçarit, me qëllim përballjen e tij me drejtësinë shqiptare.

Njoftimi: 

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Globi”.

Operacioni u finalizua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit.

Arrestohet në Ohio, SHBA, një shtetas shqiptar, i dënuar në Shqipëri, me 25 vjet burgim, dhe në Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për vrasje.

I arrestuari, në muajin mars 1997, vrau 2 vëllezër, në Patos, dhe 5 muaj më pas, vrau në Belgjikë, një shtetase shqiptare, të cilën e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si “Njesia e përbashkët e shërbimeve investiguese”, e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë), Drejtorisë së Interpolit në Policinë e Shtetit, homologëve të tyre në Uashington, Mançester dhe Bruksel, Marshallëve Amerikanë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u arrestua në Ohio, shtetasi shqiptar i kërkuar që prej vitit 1997:

-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.

Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Policia e Shtetit po punon ngushtë me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së, për ta kthyer 51-vjeçarin për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri.