I shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, Irfan Azizi është rikthyer sërish në prangat e policisë në Angli, pasi theu lirinë me kusht gjatë procesit të ekstradimit.

Sipas një dokumenti zyrtar të Westminster Magistrates’ Court, ai u arrestua më 26 prill 2026 në zonën e Somerset, pasi nuk respektoi detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në komisariatin e Taunton, siç ishte urdhëruar nga gjykata britanike.

Më herët, Azizi kishte tentuar të pengonte ekstradimin drejt Shqipëri, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik nga një atentat i mundshëm, që sipas tij mund të organizohej nga Talo Çela. Këto pretendime ai i paraqiti edhe gjatë seancës gjyqësore, ku kundërshtoi kthimin në vendlindje.

Në dëshminë e tij, Azizi deklaroi se në vitin 2020 i mbijetoi një atentati të armatosur, gjatë të cilit u qëllua dhjetëra herë, duke pësuar plagë të rënda, përfshirë dëmtime serioze në dorë. Sipas tij, grupi që qëndron pas sulmit ka kapacitete të larta dhe lidhje të forta kriminale.

Megjithatë, prokuroria britanike hodhi dyshime mbi këto pretendime, duke theksuar se gjatë pesë viteve që ai ka qëndruar në Angli, nuk është raportuar asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjarëve të tij.

Autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e Azizit për të vuajtur një dënim prej një viti burg, pasi gjatë qëndrimit në paraburgim rezultoi se kishte përdorur një telefon celular në mënyrë të paligjshme. Gjatë seancës, ai bëri edhe deklarata të forta, duke pranuar se kishte paguar për të ndikuar në çështje gjyqësore në Shqipëri, ndërsa këmbënguli se kthimi në vend përbën rrezik serioz për jetën e tij dhe të familjes.