Konflikti i hapur interesi Orlanda KaramuçoGenc Kuçuku

Drejtoresha e zhvillimit të territorit, e lidhur me kompaninë përfituese

Ndërsa Tirana po transformohet me ritme të shpejta ndërtimi dhe pasuritë publike po humbasin funksionin e tyre social, një rast domethënës konflikti interesi del në pah te projekti i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Një projekt i prezantuar si investim humanitar, por që në praktikë hapi rrugën për zhvillim privat në një truall me vlerë të lartë.

Në qendër të këtij procesi qëndron Orlanda Karamuço, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), institucioni përgjegjës për planifikimin dhe orientimin e zhvillimit urban në vend. AZHT luan rol kyç në përcaktimin e destinacionit të truallit publik dhe në hapjen e tij për projekte ndërtimore.

Mafia e territorit/ Orlanda Karamuço drejtoreshë e AZHT,Paralelisht me këtë funksion publik, kompania ProGeen sh.p.k., e drejtuar nga bashkëshorti i saj, Genc Kuçuku, u shpall fituese në konkursin për projektin e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Ky projekt përfshinte zhvendosjen e institucionit nga zona qendrore dhe çlirimin e truallit ekzistues, i cili më pas u fut në proces zhvillimi për ndërtim kullash.

Në thelb, kemi një përplasje të qartë rolesh: drejtuesja e institucionit që administron zhvillimin e territorit është e lidhur familjarisht me subjektin privat që përfiton nga ky zhvillim.

Ky është një fakt objektiv, jo një interpretim.

Projekti u promovua publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe arkitektja Elira Kokona si një nismë sociale në funksion të përmirësimit të kushteve për fëmijët jetimë. Por rezultati konkret ishte shembja e godinave ekzistuese, zhvendosja e fëmijëve drejt periferisë dhe lirimi i një pasurie publike me potencial të jashtëzakonshëm ndërtimor.

Godina e re shërbeu si justifikim formal për një proces ku përfitimi real nuk lidhej me institucionin social, por me tokën e liruar dhe përdorimin e saj për zhvillim privat. Një skemë e njohur, ku narrativa sociale përdoret si mbulesë për interesa ekonomike.

Në çdo shtet me standarde minimale të administrimit publik, një lidhje e tillë familjare do të kërkonte të paktën pezullimin e procedurës dhe verifikimin e plotë të procesit. Në Shqipëri, ky fakt kalon pa asnjë reagim institucional, duke treguar se vendimmarrja mbi territorin dhe përfitimi nga territori janë shpesh pjesë e të njëjtit mekanizëm.

Rasti i “Zyber Hallullit” nxjerr në pah mënyrën se si sot konkurset, lejet dhe projektet e zhvillimit urban ndërthuren me lidhje familjare, ndërsa institucionet përgjegjëse zgjedhin të heshtin.

Askush nuk po vë në dyshim të drejtën për të ushtruar aktivitet privat, por kur drejtuesja e institucionit që përcakton fatin e territorit publik është bashkëshortja e pronarit të një kompanie përfituese nga ky territor, kemi të bëjmë me konflikt të hapur interesi dhe me cënim të parimeve bazë të administrimit të pasurisë publike.

“Zyber Hallulli” nuk është një rast i izoluar, por një pasqyrë e qartë e mënyrës se si po funksionon sot ndarja e territorit në Tiranë.