Aktivist: Ushtarët izraelitë na trajtuan si bagëti në anije, na dhanë vetëm ujë e bukë të thatë
Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj është rikthyer në Shqipëri, pasi u ndalua nga autoritetet izraelite gjatë një misioni humanitar drejt Gazës. Ai mbërriti në Rinas, ku për rreth dy orë u mor në pyetje nga autoritetet, ndërsa u prit me emocione nga familjarët, përfshirë edhe fëmijët e tij.
Goxhaj, i cili prej vitesh është angazhuar në mbështetje të çështjes palestineze, ishte pjesë e flotiljes “Sumud”, një iniciativë ndërkombëtare me synim hapjen e një korridori humanitar drejt Gazës dhe rritjen e ndërgjegjësimit global për situatën në rajon.
Në dëshminë e tij, ai përshkruan momentet e ndalimit në ujërat ndërkombëtare dhe trajtimin që, sipas tij, ishte çnjerëzor ndaj aktivistëve:
“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj.
Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë, nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.
Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë.”
Ai rrëfen më tej edhe episode të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj aktivistëve:
“Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi, kam dëgjuar një vajzë që tha ‘Free Palestine’ jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën. Dhuna dhe poshtërimi ishte kryefjala e kësaj marrje peng. Në çdo përballje me ushtarët, qëlloheshim, poshtëroheshim, kemi qenë gjithë kohën me kokën poshtë, nëse ti bëje pak rezistencë, koka përfundonte në tokë, siç mua më ndodhi një rast. Në momentin që nuk kishte sy të tjerë njerëzish, ushtarët bëheshin në grup dhe rrihnin aktivistët. Tre ushtarë, duke dalë nga anija, më mbajtën në fund dhe më dhunuan në grup.”
Goxhaj tregon se, pas ndalimit, aktivistët janë transferuar në një tjetër anije, ku janë mbajtur të izoluar për dy ditë në kushte minimale:
“Na tërhoqën zvarrë nga anijet tona dhe na hipën në një tjetër, ku kemi qëndruar të mbyllur për 2 ditë e 2 netë, të trajtuar si bagëti, ndërsa na është dhënë vetëm ujë dhe bukë e thatë.”
Në një moment emocional pas kthimit, ai shprehet për motivimin e tij dhe rëndësinë e misionit:
“Ndihem krenar që isha pjesë që provova një pjesëz të dhunës që palestinezët provojnë çdo ditë. Nuk dua të rris fëmijët e mi në një botë ku gjenocidi ndaj fëmijëve të tjerë është normal. Jam krenar që isha në këtë mision, edhe pse synimi parësor dështoi – hapja e një korridori humanitar. Synimi dytësor, rritja e solidaritetit me popullin e Gazës dhe ndërgjegjësimi për këtë plagë të hapur në botën tonë, ishte i suksesshëm. Kjo ia vlejti.”
Ai shton gjithashtu detaje mbi kthimin e tij:
“Dhuna dhe poshtërimi ishte kryefjala e kësaj marrje peng. Në çdo përballje me ushtarët, qëlloheshim, poshtëroheshim, kemi qenë gjithë kohën me kokën poshtë; nëse bëje rezistencë, koka përfundonte në tokë. Në momentin që nuk kishte sy të tjerë njerëzish, ushtarët bëheshin në grup dhe rrihnin aktivistët. Tre ushtarë, duke dalë nga anija, më mbajtën në fund dhe më dhunuan në grup. Në Turqi u nisëm dje nga dreka dhe pjesën tjetër të kohës e kemi kaluar në aeroportin e Turqisë, ku më priti konsulli shqiptar në Stamboll, bashkë me stafin e tij.”






