Nga ARRSH te AKSHI, denoncimi nga Konfindustria: Rrezik për rritje kostosh dhe integrimin në BE

Konfindustria ka ngritur shqetësimin për një fenomen që, sipas saj, po dëmton rëndë konkurrencën dhe ekonominë në vend: përjashtimin në praktikë të kompanive të huaja nga prokurimet publike në Shqipëri. Në një deklaratë zyrtare, organizata thekson se pjesëmarrja e operatorëve të huaj është bërë thuajse e pamundur në procedurat e zhvilluara nga agjencitë dhe ndërmarrjet shtetërore.

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thekson se pengesat krijohen përmes akteve nënligjore me karakter subjektiv, të cilat bien ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe nxisin praktika të njohura si “kapje e shtetit”.

Një rast konkret që evidentohet janë dy tendera ndërkombëtarë me vlerë rreth 70 milionë euro për projektet e “Bypass-it të Elbasanit”, të organizuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas Konfindustrisë, kushtet e vendosura për pjesëmarrje janë të papërballueshme për operatorët e huaj, pasi u kërkohet të kryejnë ekuivalentimin e licencave profesionale brenda një afati 30-ditor, ndërkohë që vetë procedura administrative për këtë proces zgjat më shumë se afati i përcaktuar.

Organizata argumenton se këto praktika kanë pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë kombëtare, duke rritur ndjeshëm kostot e projekteve publike – deri në 2.3 herë më shumë krahasuar me standardet e Bashkimit Europian – dhe duke ulur cilësinë e punimeve infrastrukturore.

Sipas Konfindustrisë, sektorët më të prekur nga ky fenomen janë infrastruktura, energjia dhe teknologjia. Në mënyrë të veçantë përmenden institucione dhe ndërmarrje si Autoriteti Rrugor Shqiptar, hekurudhat, portet, OST, OSHEE, KESH dhe AKSHI.

Në reagimin e saj, Konfindustria paralajmëron se kjo situatë jo vetëm që dëmton konkurrencën dhe interesin publik, por rrezikon edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke cenuar përmbushjen e standardeve dhe detyrimeve ndaj Bashkimit Europian.

Reagimi i plotë:

Konfindustria vlerëson, se në prokurimet publike të organizuara nga agjencitë dhe kompanitë shtetërore është vështirësuar deri në pamundësi faktike pjesëmarrja e operatorëve të huaj në gara. Pengesat janë qartësisht të tipit të korrupsionit të “kapjes së shtetit/state capture” me akte nënligjore subjektive tërësisht kundër standarteve të procesit të integrimit në BE.

Shembull i qartë janë termat e referencave të vendosura në dy tenderat ndërkmbëtarë prej afër 70 milionë euro për projektet e “Bypass të Elbasanit” të përgatitura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në mënyrë absurde në afatin kufi prej 30 ditësh pjesëmarrësve të huaj u kërkohet si kushti detyrueshëm pjesëmarrje në tender ekuivalentimi i licencave profesionale nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, vetë procesi kohor i shqyrtimit për ekuivalentimin paraprak të licencave tejkalon afatin e detyrueshëm të përcaktuar në termat e referencës.

Përjashtimi i operatorëve të huaj prek drejtëpërdrejtë interesin publik, ekonominë kombëtare, shtim të ndjeshëm kostosh financiare deri në 2,3 herë më të shtrenjtë se BE. Gjithashtu, shmangia e konkurencës ka si pasojë punime jashtë standarteve mjaft të dukshme në rënie rrugësh, tunelesh, etj.me qindra milionë dëme.

Sa më sipër sjell deri në cënim të detyrimeve politike të Shqipërisë pjesë e rendesishme të integrimit në BE, duke e vështirësuar ndjeshëm vetë procësin.

Sektorët më të prekur nga dukuria sistematike e përjashtimit të operatorëve të huaj nga tenderimi në Shqipëri janë përkatësisht:

– Infrastruktura( Autoriteti Rrugor, hekurudha, porte, etj)

– Energjia( OST, OSHEE, KESH)

– Teknologjisë( AKSHI)