Tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijojnë të rriten, ndërsa nënkontraktorët e kompanisë “Mabco” kanë hyrë në ditën e pestë të protestës së tyre. Ata janë mbledhur sërish përpara hyrjes së kantierit, duke kërkuar rikthimin e mjeteve të punës, materialeve dhe një qëndrim të qartë zyrtar për ecurinë e projektit, i cili aktualisht mbetet i bllokuar.
Situata në terren paraqitet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë janë të pranishme për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të garantuar rendin publik.
Në thelb të kësaj përplasjeje qëndron një konflikt i fortë mes palëve të përfshira në projekt, ku përballen interesat e lidhura me biznesmenin Behgjet Pacolli dhe ato të partnerit të tij Valon Ademi, përmes kompanisë “2A Shpk”. Mosmarrëveshja lidhet kryesisht me ndarjen e aksioneve, ku Ademi pretendon se zotëron 49% të projektit mbi bazën e marrëveshjeve dhe investimeve të kryera, ndërsa në dokumentacionin zyrtar figuron me vetëm 2%.
Kjo diferencë e theksuar ka ndezur një betejë ligjore që ka sjellë pasoja direkte në vijimin e punimeve, duke e çuar projektin drejt një ngërçi të thellë.
Projekti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës daton që nga viti 2021, kur u firmos kontrata për ndërtimin e tij në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, me një investim të parashikuar rreth 104 milionë euro. Fillimisht, në këtë sipërmarrje ishin të përfshira “Mabco Constructions”, kompania turke YDA dhe “2A Shpk”.
Pas tërheqjes së partnerit turk dhe ndryshimeve në strukturën e aksioneve, Mabco mbeti zotëruese e pjesës dërrmuese të projektit. Megjithatë, më pas situata u komplikua nga akuza për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, duke çuar çështjen në duart e drejtësisë.
Aktualisht, hetimet janë në zhvillim nga Prokuroria e Tiranës dhe SPAK, ndërsa gjykata ka vendosur pezullimin e të drejtës së votës për kompaninë e lidhur me Pacollin, deri në përfundimin e procesit hetimor.






