Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, duke e lënë atë në paraburgim. Vendimi u dha nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila rrëzoi argumentet e paraqitura nga mbrojtja.

Berberi ndodhet në qeli që prej marsit të vitit 2024, pasi ndaj tij rëndojnë akuza të forta nga Prokuroria e Posaçme, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe shkeljen e barazisë në tendera publikë.

Sipas hetimeve, gjatë kohës që drejtonte institucionet shtetërore, ai dyshohet se ka favorizuar një kompani të lidhur me ortak të tijin, Valter Begaj, duke i dhënë disa kontrata publike. Më tej, fitimet e përfituara nga këto tendera dyshohet se janë kanalizuar drejt një kompanie tjetër, “DAAM”, që sipas prokurorisë kontrollohej në mënyrë indirekte nga vetë Berberi.

Në skemën e dyshuar përfshihet edhe kompania “NET-GROUP” sh.p.k, e cila rezulton të ketë transferuar fonde drejt “DAAM”. Vlera e përgjithshme e këtyre transaksioneve arrin në rreth 223 milionë lekë, ose mbi 2 milionë euro.

Për këtë çështje janë arrestuar më herët edhe persona të tjerë, përfshirë Valter Begajn, i cili vijon të jetë në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria ka kërkuar dënimin e Berberit me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfiton ulje të mundshme të dënimit. Aktualisht, procesi gjyqësor vijon dhe ndodhet në fazën e mbrojtjes.

Pavarësisht garancive pasurore të ofruara nga ana e tij, gjykata nuk i ka konsideruar të mjaftueshme për ndryshimin e masës së sigurisë.