“Shofer problematik, motra police dhe prindërit me çekiç”

Një lagje e tërë në këmbë kundër një familjeje. Banorët e fshatit Arapaj në Durrës kanë shpërthyer në protestë, duke denoncuar publikisht atë që e quajnë “terrorin” e familjes Bizgjoni. Burra dhe gra kanë dalë me emra konkretë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga shteti.

Në qendër të akuzave është 22-vjeçari Aldi Bizgjoni. Sipas dëshmive të fqinjëve, ai lëviz me shpejtësi të rrezikshme në rrugicat e ngushta të fshatit, duke u bërë rrezik për jetën e fëmijëve dhe banorëve me manovra të papërgjegjshme.

Por denoncimi shkon më tej. Banorët akuzojnë motrën e tij, Sonila Bizgjoni, studente në Akademinë e Policisë, dhe prindërit Vasil e Vera, se përdorin mjetin e forcës për t’i heshtur. “Na kërcënojnë me çekiç dhe mjete të forta,” thonë qytetarët, të cilët ndihen të pasigurt edhe brenda shtëpive të tyre.

Revolta e sotme erdhi pas serisë së gjatë të përplasjeve dhe denoncimeve në polici, të cilat sipas banorëve, kanë rënë në vesh të shurdhër. Mes frikës dhe zemërimit, Arapaj kërkon sot drejtësi: “Nuk mund të lejojmë që arroganca e një familjeje të mbajë peng sigurinë tonë.”