Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka rikthyer në vëmendje një çështje që, sipas tij, përbën një nga aferat më të mëdha korruptive në sektorin energjetik. Ai kujton se prej më shumë se një viti ka depozituar në SPAK dokumentacion zyrtar që, sipas pretendimeve të tij, implikon drejtpërdrejt Belinda Balluku në projektin e anijeve lundruese për prodhimin e energjisë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë.
Në një reagim publik, Bardhi i bën thirrje prokurorisë speciale të ndjekë rrjedhën e parave, duke sugjeruar se aty qëndron thelbi i kësaj çështjeje. Sipas tij, kontrata për këto impiante energjetike është shoqëruar me shkelje të rënda dhe kosto të pajustifikuara për buxhetin e shtetit.
Ai rendit disa elementë që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze: mungesën e një emergjence reale energjetike në momentin e lidhjes së kontratës, procedura të dyshuara të manipuluara tenderimi, si dhe faktin që kompania fituese nuk kishte në zotërim anijet në kohën e shpalljes së saj si fituese. Gjithashtu, Bardhi thekson se një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbetet e paqartë për destinacionin final, duke përmendur edhe regjistrimin e kompanisë në juridiksione offshore.
Në fokus të kritikave është edhe kostoja e energjisë së prodhuar nga këto njësi. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga emisioni Piranjat, çmimi i energjisë së prodhuar nga anijet arrin deri në 675 euro për MWh, ndërkohë që çmimi në treg llogaritet rreth 111 euro për MWh. Kjo diferencë, sipas Bardhit, përbën një barrë të rëndë financiare për qytetarët.
Ai shton se kjo kontratë i kushton buxhetit publik rreth 100 mijë euro në ditë, duke kërkuar nga SPAK të veprojë dhe të hetojë në thellësi këtë çështje.
Në përfundim, Bardhi e përmbledh qëndrimin e tij me një apel të drejtpërdrejtë ndaj prokurorëve: ndjekja e parave mbetet mënyra më efikase për të zbuluar mekanizmin e kësaj afere dhe për të identifikuar përgjegjësit.
Postimi i plotë:
Më shumë se një vit më parë kam dorëzuar në SPAK dokumentacion zyrtar që implikon drejtpërdrejt Belinda Ballukun në një nga aferat më të mëdha korruptive: anijet lundruese për prodhimin e energjisë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë.
Në dosjen e dërguar në SPAK kam argumentuar me prova se:
1. Vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës. Kjo u konfirmua nga vetë Belinda Balluku, kur deklaroi se anijet do të prodhonin energji vetëm
2 vite pas kontratës.
2. Kushtet e tenderit u krijuan për të favorizuar fituesin dhe se ai ishte i paracaktuar, me një garë fiktive. Kompania kishte njoftuar autoritetet amerikane për marrjen e tenderit përpara shpalljes së fituesit.
3. Kompania nuk i zotëronte anijet as kur u shpall tenderi, as kur u shpall fituese.
4. Kostot ishin shumë të larta dhe 80 milionë euro për dy anijet nuk dihet ku shkojnë, pasi kompania është e regjistruar në një parajsë fiskale.
5. Energjia që do të prodhohej ishte shumë e shtrenjtë.
Nuk e di çfarë po bën SPAK me këtë dosje, që vjedh hapur shqiptarët dhe merr çdo ditë nga paratë publike rreth 100 mijë euro.
Një investigim i emisionit “Piranjat” ka sjellë së fundi të dhëna tronditëse: prodhimi i energjisë nga Tigrat është deri 6 herë më i shtrenjtë se tregu. Të dhënat tregojnë se energjia e prodhuar nga anijet lundruese ka një kosto prej 675 €/MËh, ndërsa çmimi i tregut është vetëm 111 €/MËh.
Diferenca është e jashtëzakonshme. Prandaj SPAK-ut i takon të zbulojë pse u firmos një kontratë e tillë që zhvat miliona euro nga shqiptarët.
“Ndiq paranë” është rruga më e mirë për të zbuluar korrupsionin. Kjo është harta e vërtetë që SPAK-u duhet të ndjekë për të shkuar tek burimi i kësaj historie.
Prandaj thirrja ime për SPAK-un është vetëm një:
Ndiq paranë. Aty është përgjigjja pse Tigrat e Belindës prodhojnë energji deri 6 herë më të shtrenjtë se tregu







