Kallëzim ndaj personit që përhapi lajmin e rremë për kryebashkiakun

Bashkia Gjirokastër ka ndërmarrë hapa ligjorë pas përhapjes së një lajmi të rremë që shkaktoi panik në qytet. Institucioni ka depozituar kallëzim penal në polici ndaj personave që shpërndanë informacionin se kryebashkiaku dhe disa punonjës të bashkisë ishin prekur nga HIV/AIDS.

Kallëzimi është dorëzuar nga avokati mbrojtës Arben Llangozi dhe përbëhet nga një dosje prej rreth 30 faqesh, ku akuzohet konkretisht shtetasi Emin Kokalari për përhapje të informacionit të rremë dhe krijim paniku në komunitet.

Lajmi i pavërtetë ka qarkulluar për disa ditë në rrjete sociale dhe ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët e Gjirokastër. Megjithatë, pas kryerjes së verifikimeve dhe testimeve përkatëse, rezultoi se pretendimet ishin tërësisht të pabazuara.

Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në shpërndarjen e këtij informacioni të rremë.