Nga Ghoncheh Habibiazad, BBC

Një përfaqësuese e Teheranit në parlamentin e Iranit (Majlis), Somayeh Rafiei, thotë se ligjvënësit po shqyrtojnë një propozim, sipas të cilit shtetet do të jenë të detyruara të paguajnë tarifa dhe taksa Iranit, nëse Ngushtica e Hormuzit përdoret si një rrugë e sigurt për kalimin e anijeve, tranzitin e energjisë dhe sigurimin e sigurisë ushqimore.

Sipas një raporti nga agjencia e lajmeve ISNA, Rafiei, duke folur në një tubim publik në sheshin Valiasr të Teheranit, theksoi autoritetin e Iranit në “garantimin e sigurisë së Ngushticës së Hormuzit dhe mbrojtjen e interesave të kombit” duke thënë: “Ne i kemi privuar armiqtë tanë nga komoditetet e tyre të mëparshme dhe tani ata nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë realitet; ata thjesht nuk mund ta durojnë atë”.

Ajo tha gjithashtu se “me vullnetin e Zotit, kjo betejë do të përfundojë me fitoren vendimtare dhe të sigurt të Iranit, dhe më pas, kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit do të vazhdojë të paraqesë sfida për armiqtë tanë”.

Ndërkohë Irani është zotuar të sulmojë infrastrukturën energjetike të aleatëve të SHBA-së dhe Izraelit në Gjirin Persik deri në “shkatërrimin e saj të plotë” nëse objektet e veta energjetike do goditen më tej.

Teherani ka nisur një valë sulmesh kundër zonave të gazit dhe naftës në të gjithë rajonin e Gjirit, pasi objektet e veta të lidhura me fushat e gazit në Parsin Jugor u goditën nga Izraeli.

“Ne e paralajmërojmë armikun se keni bërë një gabim të madh duke sulmuar infrastrukturën energjetike të Republikës Islamike të Iranit”, tha një zëdhënës i komandës qendrore ushtarake të Iranit, sipas agjencisë së lajmeve Fars, e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.

“Nëse kjo përsëritet, sulmet pasuese ndaj infrastrukturës energjetike tuaj dhe të aleatëve tuaj nuk do të ndalen deri në shkatërrimin e saj të plotë”, tha ai, duke shtuar se përgjigja iraniane do të jetë “shumë më e rëndë” se sulmet deri më tani.