Podgorica drejt fazës finale të anëtarësimit, ndërsa Tirana ngec prej muajsh

Kontrast i fortë në rrugën drejt Bashkimit Europian

Mali i Zi ka shënuar një hap të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke hyrë në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit. Ky zhvillim vjen në një moment kur Shqipëria vijon të jetë e bllokuar në raportin IBAR, duke e bërë perspektivën e integrimit më të largët.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama deklaron publikisht se vendi është pranë Bashkimit Europian, zhvillimet konkrete tregojnë një realitet më kompleks. Hapja e raportit IBAR për Shqipërinë ka ngecur prej muajsh, ndërsa disa vende anëtare kanë shprehur rezerva.

Në kontrast, Mali i Zi ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit. Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar krijimin e një grupi pune që do të përgatisë marrëveshjen e anëtarësimit për këtë vend.

Vendimi është marrë në Bruksel nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) dhe është konfirmuar nga Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së.

“Sot, ambasadorët e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) miratuan krijimin e një grupi pune ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi. Presidenca qipriote ka punuar fort që ky grup të ngrihet sa më shpejt, sidomos duke pasur parasysh punën e gjatë teknike që duhet përfunduar para se të nisë hartimi konkret i marrëveshjes. Jemi të bindur se kjo do të japë një mesazh të qartë se anëtarësimi është brenda mundësive për vendet partnere të zgjerimit,” u shpreh një zëdhënës i Presidencës.

Sipas deklaratave zyrtare, grupi i punës do të merret me përgatitjen teknike dhe ligjore të traktatit të anëtarësimit, një hap kyç për finalizimin e procesit.

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorčević, e cilësoi këtë moment si historik.

“Kjo është faza e fundit drejt anëtarësimit të plotë në BE”, deklaroi ajo, duke shtuar se synimi është që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028.

Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se marrëveshja do të përfshijë mekanizma të rinj sigurie, në përputhje me qasjen më të kujdesshme të BE-së ndaj zgjerimit.

“Klauzolat mbrojtëse nuk janë asgjë e re, por kjo do të jetë e re. Dhe kjo tani lidhet me rishikimet e politikave para zgjerimit. BE-ja duhet të përgatitet institucionalisht, politikisht dhe financiarisht”, tha Kos.

Grupi i ri do të koordinojë detajet përfundimtare të traktatit, përfshirë periudhat kalimtare dhe mekanizmat mbrojtës, për të siguruar një integrim gradual.

Megjithatë, procesi nuk është ende i përfunduar. Marrëveshja finale do të arrihet vetëm pasi Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave dhe të harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së. Deri tani, Podgorica ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt.

Ky zhvillim pritet të jetë traktati i parë i zgjerimit pas më shumë se një dekade, duke shërbyer si një model për vendet e tjera të rajonit që synojnë integrimin në Bashkimin Europian.