Dekreton ligjin për ‘Paqen fiskale’ që u kundërshtua nga ndërkombëtarët

Pavarësisht kundërshtimeve të hapura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Bashkimi Evropian, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale”, duke i hapur rrugë hyrjes së tij në fuqi.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e konsultimit dhe transparencës gjatë hartimit të ligjit, ndërsa FMN ka paralajmëruar se ky mekanizëm cenon progresin e arritur në administrimin tatimor dhe përbën rrezik për qëndrueshmërinë fiskale të vendit.

Megjithë këto rezerva, Presidenti e ka firmosur dekretin duke u mbështetur në nenin 84, pika 1 dhe nenin 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke formalizuar kështu miratimin përfundimtar të aktit ligjor.

Ligji për “Paqen Fiskale” synon të rregullojë marrëdhëniet financiare mes shtetit dhe subjekteve private, duke parashikuar lehtësira për bizneset dhe individët që kanë detyrime të prapambetura tatimore.

Dekreti presidencial mban numrin 21 dhe është nënshkruar në Tiranë, më 12 janar 2026.