Kreu i PD: Nga Gjoka te Frangu, përfituan miliardat nga Thesari në vit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka ngritur akuza të forta lidhur me shpërndarjen e tenderave publikë në vend. Sipas tij, një grup i kufizuar kompanish shqiptare kanë përfituar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit, në një proces që ai e cilëson të mbyllur dhe pa garë reale.
Berisha pretendon se bëhet fjalë për rreth 10 kompani që, sipas tij, kanë përfituar në total 1.5 miliardë euro, pasi më herët nga garat janë përjashtuar operatorë europianë. Në deklaratën e tij, ai përmendi disa prej subjekteve që, sipas tij, kanë qenë përfitues kryesorë të fondeve publike.
“Kompania Gjoka-Olsi Rama. Ky Gjoka e ka pasion shumë Olsin. Gjeniu i prokurimeve paçka se i shemben rrugët si kashtë, paguhet më shumë se të gjithë të tjerët. Tjetër kompani është 4AM. Këtë nuk e di se kush e ka, por do ta gjejmë.
Më pas vjen famozi Salillari, por edhe Fusha nuk mund të mungonte kurrsesi. Janë 10 kompani, 1 miliard e gjysmë euro. Koncentrim total mafioz pa tendera.
Kompania Gjoka-Olsi Rama Konstruksion, pothuajse 500 milionë euro tendera në vit. Imagjinoni ju se ku shkon”, u shpreh Berisha.
Në vijim të deklaratës së tij, lideri demokrat u ndal edhe te ajo që ai e konsideron rritje të ndjeshme të procedurave të fshehta në prokurimet publike, duke përmendur edhe raste konkrete pagesash nga Thesari i Shtetit.
“Peshkaqeni Armand Frangu mori 800 pagesa në vit. Asnjë PPP nuk është dhënë bazuar në ligjin e ndryshuar.
Çfarë peshkaqeni është ky, shkoni në Thesar dhe vetëm në një vit ky ka 800 pagesa nga Thesari i Shtetit.
A mund të imagjinoni ju?
A mund të imagjinohet të marrë 800 pagesa i pangopuri kunati i Linda Ramës dhe Linda Rama dhe Rama bashkë se janë bashkë ata të gjithë.
AKSHI ka firmosur mbi 500 procedura sekrete. Asnjë nuk ka pasur gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme.
Drejtoria qeveritare me dhjetëra e dhjetëra, asnjë nuk ka pasur gjatë qeverisjes së mëparshme”, deklaroi ai.
Deklaratat e Berishës pritet të sjellin reagime nga institucionet dhe subjektet e përmendura, ndërsa çështja e transparencës në prokurimet publike vijon të mbetet një nga temat më të debatueshme në diskursin politik në vend.







