Skenar i njëjtë edhe në protestën e sotme

Protesta e radhës e opozitës u zhvillua këtë të hënë në Tiranë me të njëjtin skenar si tubimi i mëparshëm kombëtar. Partia Demokratike mblodhi mbështetësit e saj në qendër të kryeqytetit me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Në podium u ngjitën disa folës, të cilët mbajtën një linjë të unifikuar mesazhi, duke përsëritur akuzat politike ndaj mazhorancës dhe duke theksuar se fitorja e opozitës është e afërt. Në të njëjtën frymë, edhe kryetari i PD-së përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke pretenduar se mazhoranca ka tentuar një grusht shteti kundër drejtësisë.

Si në protestën e kaluar, tensionet u rritën në fund të fjalimeve. Një grup protestuesish hodhën disa bomba të improvizuara molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Numri i tyre ishte më i vogël krahasuar me protestën e dy javëve më parë, çka bëri që policia të ndërhyjë fillimisht vetëm me mjete ujëhedhëse dhe jo me gaz lotsjellës.

Pas disa minutash përplasjeje, protesta u zhvendos përpara godinës së Parlamentit. Atje, bashkë me disa deputetë të opozitës, situata u tensionua sërish, ndërsa u hodh një numër më i madh molotovësh drejt godinës së Kuvendit. Përshkallëzimi i situatës detyroi policinë të përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Gjatë incidenteve u raportuan të paktën tetë persona të lënduar, mes tyre efektivë policie dhe protestues. Ndërkohë, plani i paralajmëruar për ngritjen e një çadre dhe vijimin e protestës pa afat përballë Kryeministrisë nuk u realizua këtë herë, duke mbetur e paqartë nëse do të shtyhet për një moment tjetër.