Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ka komentuar edhe rolin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Berisha ka shprehur qëndrimin e tij kritik, duke e akuzuar ambasadorin për një qasje të njëanshme në raport me opozitën.

“Sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si të ishte ambasadori i Edi Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të pretenduar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur ne nuk jemi për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera.

Ne jemi ata që i themi gjërat hapur dhe ai është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Gonzato është unifikuar komplet me Edi Ramën. Unë partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, u shpreh Berisha.